Del në shitje libri i John Bolton-it, ish-këshilltari kritikon Trump

Amerika

Del në shitje libri i John Bolton-it, ish-këshilltari kritikon Trump

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 16:47
John Bolton

Pas bllokimit që i bëri Shtëpia e Bardhë doli në shitje libri me kujtime i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së John Bolton. Ish-këshilltari tregon se Trumpi u përpoq të shfrytëzonte marrëveshjen tregtare me Kinën në favor të rizgjedhjes së tij. Gjithashtu tregon paraskena se si zyrtarë të tanishëm të administratës talleshin me presidentin. 

Libri me kujtime i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së John Bolton për kohën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë pranë presidentit Donald Trump, doli zyrtarisht në shitje, ndërsa më herët disa kopje rrodhën ilegalisht në media.

Libri i titulluar "Dhoma ku ndodhi" vjen si një kritikë e ashpër ndaj presidentit Donald Trump dhe pjesëtarëve të tjerë të administratës.

Bolton ka thënë paraprakisht në një intervistë me televizionin ABC Neës, se e konsideron zotin Trump të papërshtatshëm për të qeverisur.

Nga ana tjetër presidenti Trump e ka quajtur vazhdimisht Bolton-in të çmenduar dhe të paaftë, ndërsa denoncoi edhe qasjen e tij në politikën e jashtme.

Fillimisht administrata u përpoq ta ndalonte publikimin e librit të Bolton-it, me arsyetimin se ai përmban informacione të klasifikuara si sekret, por një gjykatë më pas e lejoi publikimin e librit.

Mbetet e paqartë nëse gjykata do ta lejojë Bolton-in të marrë fitimet nga libri, ndërsa Departamenti i Drejtësisë vazhdon ta akuzon ish-këshilltarin për rrezikim të sigurisë kombëtare.

Ndërsa libri po citohet gjerësisht në media për informacionin e bollshëm që ofron, sidomos në pjesën ku Bolton thotë se Trumpi kërkoi ndihmë nga Kina nëpërmjet marrëveshjesh tregtare për t’u rizgjedhur, ka marrë komente negative në lidhje me cilësinë e të shkruarit dhe vetëkënaqje.

Përveç kritikave nga presidenti Trump dhe partia e tij, Bolton-i po kritikohet edhe nga demokratët pasi ai refuzoi të dëshmojë gjatë seancave të procesit të shkarkimit, ku presidenti u akuzua për presionin e bërë ndaj Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat