Në mes të pandemisë në Arizona, Presidenti Trump lavdëron murin kufitar - Bota Sot
Në mes të pandemisë në Arizona, Presidenti Trump lavdëron murin kufitar

Amerika

Në mes të pandemisë në Arizona, Presidenti Trump lavdëron murin kufitar

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 05:59
Trump

Para fjalimit në Finiks të martën, Presidenti Trumë vizitoi një segment të murit kufitar në Arizona.

Presidenti dhe zyrtarët e tjerë lane firmat mbi mur. Zoti Trump foli për murin si faktor për ndalimin e imigrantëve të paligjshëm dhe koronavirusit.

Por në fakt Arizona është një ndër vatrat e nxehta të epidemisë aktualisht në SHBA. Para mbërritjes së presidentit, autoritetet shtetërore njoftuan afro 3600 raste të reja me infeksion.

Në total Arizona ka 54 mijë raste me koronavirus dhe mbi 1300 të vdekur, sipas Universitetit Johns Hopkins.

"Kufijtë tanë nuk kanë qenë kurrë më të sigurtë. Kjë është struktura më e fuqishme dhe mbrojtëse se çdo structurë kudo në botë,” tha presidenti.

"Autoritetet e shëdentit publik bënë të mundur që të ndalim katastrofën e koronavirusit të futej nga kufiri jugor, duke ndalur trafikun me njerëz dhe duke i kthyer pas ata që shkelnin kufirin. Pa këto masa, kufiri do të ishte bërë epiqendra globale e përhapjes së epidemisë,” tha presidenti.

Presidenti u shoqërua në qytezën Yuma nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Chad Wolf si dhe Komisioneri në detyrë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare, Mark Morgan. Ata vizituan segmentin e murit në kufi me Meksikën në San Luis të komunës Yuma.

Qeveria amerikane thotë se që nga janari 2017 ka pasur ndërtime në një shtrirje prej 338 km, por duket se vetëm 4.8 km mur janë ngritur në vijën kufitare ku nuk kishte më parë barriera.

“Muri i ri në shumë vende është dy herë më i lartë se më parë dhe janë ndërtuar shumë milje në zona ku kishte vetëm barriera makinash,” thotë për Zërin e Amerikës analisti David Bier i Institutit Cato.

Diskutime në Arizona

Në Yuma presidenti zhvilloi bisedime me zyrtarë shtetërorë. Presidentit iu drejtua pyetja për të ardhmen e personave të mbrojtur nga akti DACA, që parandalon deportimin e personave të ardhur në SHBA në moshë të mitur në mënyrë të paligjshme. Gjykata e Lartë dha vendim ditët e fundit se administrata Trump nuk ka të drejtë të pezullojë DACA-n:

"Do ta zgjidhim DACA-n. Do ta paraqesim përsëri në gjykatë çështjen. Demokratët kanë luajtur prej vitesh me këtë temë, nuk kanë zgjidhur asgjë. Unë do ta zgjidh,” tha presidenti.

Fjalimi në​ Finiks

Më pas presidenti shkoi në Finiks për një fjalim para 3000 pjesëmarrësve të mbledhur në një kishë, pjesa më e madhe anëtarë të organizatës “Studentët për Trumpin”.

Kisha “The Dream City” postoi një video ku tregonte se kishte instaluar “teknologjinë e jonizimit” duke premtuar se kjo teknologji “vret 99.9% të COVID-it për 10 minuta” dhe se ata që do të marrin pjesë si dhe presidenti “do të jenë të mbrojtur nga infeksioni”.

Nuk ka prova shkencore se këto pajisje për filtrimin e ajrit mund të parandalojnë transmetimin e virusit në mjedise të mbyllura.

Komuna e Yuma-s dhe qyteti i Finiksit kanë deklaruar rregullore për vënien e maskave në publik.

Aktiviteti në kishë “nuk u planifikua me leje apo parapëlqim të qytetit të Finiksit, pasi qyteti nuk lejon aktiviteti politike,” tha kryebashkiakja e Finiksit, Kate Gallego. “Unë vetë nuk mendoj se një aktivitet me përmasa të tilla mund të zhvillohet pa rrezikuar pjesëmarrësit, sidomos në Arizonë ku kemi parë rritje të numrit të personave me COVID, Presidenti ka vendosur ta zhvillojë tubimin”.

Të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, “sidomos zyrtarët e zgjedhur, duhet të japin shembullin e tyre duke vënë maskë. Këtu përfshihet edhe presidenti,” tha kryebashkiakja.

Presidenti është ndeshur me kritika për aktivitetin e së shtunës, aktiviteti më i madh publik në një sallë të mbyllur që kur filluan masat e distancimit fizik. Aktiviteti krijoi edhe më shumë shqetësim pasi Oklahoma, ku e zhvilloi presidenti tubimin, ka përjetuar shtim të rasteve gjatë ditëve të fundit.

Sipas Repartit të Zjarrfikësve të qytetit Tulsa, në sallë ishin mbledhur rreth 6200 nga 19 mijë e 199 sediljet e qendrës “Bank of Oklahoma Center”. Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump këmbëngul se kishte rreth 12 mijë pjesëmarrës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat