Thirret të dëshmojë në Kongres shefi ekzekutiv i USAGM, Michael Pack

Amerika

Thirret të dëshmojë në Kongres shefi ekzekutiv i USAGM, Michael Pack

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 14:32
Michael Pack

Një ligjvënës i rëndësishëm amerikan të martën thirri zotin Michael Pack, shefi i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjetet të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara nga qeveria amerikane, që të dëshmojë muajin që vjen se pse ai pushoi nga puna disa zyrtarë të lartë dhe punësoi të emëruar politikë nga administrata e Presidentit Trump në strukturën drejtuese të agjencisë.

Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku Eliot Engel, i cili drejton Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mardhënie me Jashtë, caktoi seancën dëgjimore me 8 korrik. Zoti Pack dhe USAGM nuk kanë lënë të kuptohet nëse shefi i ri ekzekutiv ka në plan të dëshmojë.

Ndërkohë, Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë njoftoi se Senatori Bob Menendez, demokrati më i lartë në komision, i ka kërkuar inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit që të hetojë nëse pushimet nga puna bien ndesh me rregullat federale që mbrojnë pavarësinë e agjencisë së lajmeve.

Javën e shkuar, zoti Pack pushoi nga puna drejtuesit e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Radio Azia e Lirë, Rrjetit të Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe Fondit për Teknologji të Hapur, pa dhënë shpjegime. Disa ditë më parë, drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Benet dhe zënvendësja e saj Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se zoti Pack gëzon të drejtën për të zgjedhur ekipin që dëshiron ai.

Shkarkimet kanë bërë që kritikët të akuzojnë shefin e ri ekzekutiv për spastrim të zyrtarëve që shihen si jo besnikë ndaj Presidentit Trump. Kritikët kanë shprehur shqetësime të thella për reputacionin dhe kredibilitetin e agjencisë së lajmeve tek audienca ndërkombëtare.

As zoti Pack dhe as USAGM nuk kanë reaguar mbi polemikat.

Përmes një deklerate, zoti Engel i cili ka 31 vjet si anëtar në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se lëvizjet e hershme të shefit të ri ekzekutiv “dërgojnë një mesazh alarmues”.

“Zoti Pack duhet të shpjegojë para komisionit dhe popullit amerikan vizionin e tij për agjencinë, arsyen për pushimin e menjëhershëm të kaq shumë zyrtarëve të lartë, dhe veprimet e tij të tjera fillestare.”

Senatori Menendez ndërkohë ka kërkuar hetime nëse pushimet nga puna bien ndesh me rregullin federal që hyri në fuqi në fillim të muajit që deklaron se, “rrjetet në ombrellën e USAGM gëzojnë të drejtën për pavarësi të plotë editoriale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë”.

Në kërkesën e tij drejtuar zyrës së inspektorit të përgjitshëm të Departamentit të Shtetit, Stephen Ankard, zoti Menendez shkruante: “Pushimi nga puna i udhëheqjes së secilit rrjet dhe shpërbërja e bordeve duket se përbëjnë një përpjekje për të ndërhyrë dhe ndikuar në mënyrë të padiskutueshme tek të gjitha rrjetet e USAGM, përfshirë udhëheqjen e tyre, zyrtarët dhe punonjësit...në kryerjen e detyrave dhe punës gazetareske.”

Përmes një emaili të dërguar punonjësve të rrjeteve të Agjencisë së Shteteve të Bashkura për Median Globale (USAGM), zoti Pack tha se ai ishte tërësisht i angazhuar për respektimin e statusit të Zërit të Amerikës, misionit të rrjeteve të tjera dhe pavarësinë e gazetarëve të saj heroikë kudo në botë.

Zoti Pack po ashtu u shpreh se do të mbronte pavarësinë e organizatave të lajmeve gjatë seancës së konfirmimit në Senat vjeshtën e kaluar.

“E gjithë agjencia mbështetet në besimin që gazetarët janë të pavarur, se asnjë influencë poltike nuk u dikton atyre se si të raportojnë lajmet dhe çfarë të thonë. Pa atë besim, mendoj se agjencia është plotësisht e minuar.”

Megjithatë, disa grupe të mbikëqyrjes së medias dhe organizata lajmesh, përshirë gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, kanë vënë në pikëpyetje gatishmërinë e zotit Pack për të rezistuar ndaj presionit politik, ndërsa kanë theksuar të kaluarën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon.

Rregulli i cituar nga Senatori Menendez u miratua në fillim të muajit nga USAGM ndërsa zoti Pack mori drejtimin e agjencisë. Rregulli përbënte udhëzime që sqaronin mbrojtjen e gazetarëve nga ndërhyrjet politike.

“Pavarësia editoriale përfshin, por nuk kufizohet, tek fakti që vetëm individët brenda rrjetit mund të marrin ndonjë vendim në lidhje me mbledhjen e lajmeve ose raportimin,” thanë drejtuesit.

“Rrjetet e USAGM dhe punonjësit e tyre, përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë tërësisht të mbrojtur nga çdo presion politik apo proces i jashtëm që do të jetë në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat