SHBA/ Reforma në polici ngec në Kongres

Amerika

SHBA/ Reforma në polici ngec në Kongres

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 06:54
Kongres

Ligjvënësit amerikanë trajtuan legjislacionin ambicioz të reformës në polici me rezultate të përziera këtë javë. Një projektligj i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate nuk ka shanse të miratohet në Senatin me shumicë republikane, ku ligjvënësit nuk arritën një kompromis për një projekligj të tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson sjellë hollësitë mbi hapat e ardhshëm në përpjekjet e ligjvënësve për të trajtuar këtë çështje të debatueshme në një vit zgjedhor.

Protestat mbarëkombëtare të shkaktuara nga vdekja nën arrest e afrikano-amerikanit George Floyd një muaj më parë në shtetin e Minesotës, çuan në thirrjet për reforma në polici që demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se i trajtuan në projektligjin e miratuar të enjten.

“Ne supozohet të jemi pishtari i shpresës për të drejtat e njeriut në vendet e tjera. Dhe Akti për Drejtësinë dhe Policinë është një projektligj për të drejtat e njeriut në vendin tonë”, tha ligjvënësja demokrate Karen Bass.

Demokratët thonë se projekt-ligji i Dhomës së Përfaqësuesve do të transformonte kulturën e policisë amerikane duke kushtëzuar ndihmën federale me ndryshimin e praktikave si fletë-arrestet pa trokitje në derë dhe përdorimin e teknikave të ngulfatjes. Projektligji do t’i jepte fund edhe praktikës së mbrojtjes së policëve nga paditë civile, që kundërshtohet nga republikanët.

“Me ndryshimin e imunitetit të kualifikuar, një polic mund të shkojë në burg për një veprim të paqëllimtë, për shkelje të një ligji të panjohur. Ne besojmë në mbajtjen përgjegjës të policëve për veprimet e tyre, por pasojë e kësaj mase do të ishte shndërrimi i policëve të denjë në kriminelë, ndërsa ata përpiqen me mirëbesim të zbatojnë ligjet”, tha ligjvënësja Debbie Lesko.

Të mërkurën në Senat, projektligji republikan për reformën në polici u bllokua nga demokratët. “Projektligjit të senatorëve repulikanë i mungon përmbajtja dhe reformat e forta, të nevojshme për të ndalur brutalitetin e policisë kundër afrikano-amerikanëve. Ky projektligj humbi sepse nuk ishte adekuat”, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Por duke bllokuar debatin, demokratët në fakt refuzuan një mundësi për të negociuar, tha autori i projektligjit, duke shtuar se ai ishte i hapur për këtë. “Vdekja e një afrikano-amerikani tjetër, George Floydit, vrasja e tij është arsyeja pse vendi na dha mundësinë për të udhëhequr. Dhe miqtë e mi nga ana tjetër thjesht thanë jo. Nuk i thanë jo projektligjit. Ata thjesht thanë jo”, tha senatori republikan Tim Scott.

Shumë ligjvënës përballen me gara të ashpra zgjedhore dhe nuk janë aq të motivuar për të punuar me palën tjetër. Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, një zgjedhje e mundshme për të marrë emërimin si kandidate për nënpresidente nga kandidati për president i partisë demokrate, Joe Biden, shpjegoi kundërshtimet e saj.​

“Ajo që ata (republikanët) kanë ofruar është në thelb premtimi për të krijuar një mundësi rrëfimi për policët, ku pas veprimeve të tyre, ata mund të rrëfejnë për atë që kanë bërë. Ata mund të raportojnë më pas, ju mund ta studioni, ju mund t’i bëni të gjitha këto. Kjo nuk është aspak e mjaftueshme. Njerëzit duan veprim”, tha ajo.

Por, në fund, projektligjet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit do të duhet të kenë nevojë për miratimin e Shtëpisë së Bardhë për t’u bërë ligj, dhe presidenti i ka bërë të qarta qëndrimet e tij. “Ne nuk do të bëjmë asgjë që do të dëmtonte policinë tonë”, tha ai. Dhe me vetëm pak më shumë se katër muaj deri në ditën e zgjedhjeve, ligjvënësve po u mbaron koha për të arritur një marrëveshje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat