“Të miturit në konflikt me ligjin”, sfida parandalimi dhe rehabilitimi - Bota Sot
“Të miturit në konflikt me ligjin”, sfida parandalimi dhe rehabilitimi

Amerika

“Të miturit në konflikt me ligjin”, sfida parandalimi dhe rehabilitimi

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 07:42
Pamje nga video

Në Shqipëri përfaqësues të shoqërisë civile dhe autoritetet zyrtare kanë rritur vëmendjen mbi një fenomen shqetësues, atë të përfshirjes së të miturve në vepra të ndryshme penale. Me qindra të mitur bëhen preh e vjedhjeve dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike çdo vit. Drejtësia penale për të miturit e përmirësuar vitet e fundit, i mbron ata nga dënimi me heqje lirie, duke ofruar alternativa të tjera, më së shumti edukative, ndërsa ekspertët vërjejnë se disa institucione nuk i respektojnë këto masa lehtësuese. Autoritetet njoftojnë se po punohet në shkolla për edukimin ligjor të të miturve, si dhe në komunitet e familje. Megjithatë për njohësit e fushës, sfidat janë të shumta, kryesisht përsa i përket parandalimit dhe rehabilitimit.

Në Shqipëri gjithnjë e më shumë po rritet shqetësimi mbi përfshirjen e të miturve në vepra të ndryshme penale, apo përdorimin e tyre nga grupe kriminale. Autoritetet policore raportojnë se numri më i lartë i të miturve të dyshuar si autorë paraqitet për “Vjedhje”, dhe “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Numri e këtyre veprave penale 5 vitet e fundit paraqitet me një kurbë me ulje ngritje të lehta, ndërsa në total regjistrohen afërsisht 1700 vepra penale në vit për moshën me përgjegjësi penale 14-18 vjeç dhe afro 300 vepra penale në vit nën moshën 14 vjeç.

“Një pjesë e mirë e rasteve të identifikuara dhe të mbështetura nga ne në komisaritate e policisë janë përsëritës, që do të thotë se ka disa probleme që çalojnë nga momenti i parë identifikimit dhe intervistimit në komisariat deri në momentin përsëritës, dhe më pas një i rritur i cili kryen vepra penale”- shprehet Ana Majko, Drejtore ekzekutive e “Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS”.

Ekpsertë ligjore e shohin fenomenin e përsëritjes së krimeve nga të miturit tek sjellja e drejtësisë, shoqërisë dhe familjes ndaj tyre.

“Tendenca është që e të mitur të cilët që vuajnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të veprave penale, pra në burg, janë të pruru të jenë përsëritës për shkak sepse nuk kanë trajtimin e nevojshëm”, thotë Alban Duraj, Avokat.

Në Janar të vitit 2018 ka hyrë në fuqi Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, që i vjen në ndihmë të miturve në konflikt me ligjin. Ai parashikon dënime alternative dhe vetëm si masë të fundit dënimin më burg për vepra penale ndaj të cilave parashikohet minimumi 7 vjet heqje lirie, por edhe në këtë rast paraprihet nga disa kritere.

“Në disa komisariate të bashkive në vend, janë ngritur dhoma miqësore ku intervistohet i mituri që ka kryer një krim apo kur është dëshimtar në një vepër penale. Kjo do të vijojë në të gjitha komisariatet e policisë në vend. Synimi është që inervistat të zhvillohen në raste të veçanta në qendrat ditore të shërbimeve sociale pranë bashkive”, shprehet Alma Tandili Kryetare e Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

E përtej ligjeve për të cilat ekspertët thonë se janë të mira, ka dhe problematika që lidhen me njohjen dhe zbatimin e tyre nga institucionet.

“Problematikat qëndrojnë tek kapacitetet dhe burimet njerëzore. Individët apo nëpunësit që merren me të drejtat e fëmijëve nuk kanë informimin e duhur lidhur me këtë legjisalcion. Kemi një grup të caktuar prokurorësh nuk janë të mirëinformuar për këtë Kod penal për të miturit dhe shkojnë me masa shtrënguese”, vijon Alban Duraj, Avokat.

Autoritetet zyrtare thonë se miratimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur është pasuar më strategji të posaçme ku janë parashikuar trajnime për gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës të policisë pasi ata duhet të jenë të dedikuar për të miturit në konflikt më ligjin. Ekspertët vënë re se kjo kategori e të miturve vjen nga familje me mjaft probleme sociale.

“Plani i mbrojtjes së fëmijëve nuk përfshin vetëm fëmijën. Dimë që indirekt përfiton fëmija por gjithë vëmendja duhet të jetë tek familja, punësimi, strehimi, ndjekja e paketave të shërbimeve të prindërimit, sepse flasim për grupe vulnerabël, për fëmijë në varfëri ekonomike, ose familje të cilat janë në një cikël vicioz, pra familjet kanë qenë me probleme të dhunës dhe problematike në të shkuarën e tyre brenda disa gjeneratave”, shprehet Ana Majko, Drejtore ekzekutive e “Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS”.

Autoritetet thonë se po i kushtohet shumë rëndësi bashkëpunimit mes bashkive, policisë, shkollës, komunitetit dhe familjes, për të rritur vigjilencën për parandalimin e kryerjes se veprave penale nga të miturit, por edhe integrimin dhe rehabilitimin kur ndaj tij aplikohet dënimi alternativë.

“Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, të cilin e ka parashikuar ligji për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve, garanton, sigurinë dhe menaxhon rastin që nga identifikimi i fëmijës, duke siguruar një paketë të tërë mbështetëse dhe bashkëpunimi edhe me shërbimin e provës, policinë dhe shkollën. Ka një problem me mungesën e edukatës ligjore. Fëmijët nuk e kanë informacionin deri ku shkojnë masat apo çfarë pasojash të rënda ka një i mitur që kryen një vepër penale. Ndaj dhe në mjaft shkolla të vendit ka programe të posaçme për edukimin ligjor në këtë drejtim”, shprehet Alma Tandili Kryetare e Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

Një prej krimeve për të cilat ka rritje të raportimeve sipas ekspertëve të fushës është dhe ai i abuzimeve seksuale, shantazhit etj.

“Trajtimi i rasteve të abuzimeve seksuale është në një nivel raportimi në rritje. Kemi më tepër raste të raportuara, por jo se kanë qenë raste të cilat nuk kanë ekzistuar ose është shtuar numri. Mendoj se aty kanë qenë. Është një risi që njerëzit po marrin guximin që ta raportojnë, por në anën tjetër çfarë ndodh me fëmijën pasi kalon raportimi. Ky është problemi sot”, shprehet Ana Majko, Drejtore ekzekutive e “Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS”.

Autoritetet zyrtare thonë se ka disa zhvillime pozitive në këtë drejtim.

“Është kërkuar ngritja e një platforme ku të gjitha ministritë të marrin përsipër të ketë një plan konkret vetëm për viktimat e dhunës dhe abuzimit, sepse po përfshihemi në një fushatë identifikuese për të rritur parandalimin, nëpër shkolla dhe komunitete”, shprehet Alma Tandili Kryetare e Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

Ekspertët nxisin strukturat shtetërore për ngritjen e institucioneve te rehabilitimit për të miturit në konlfikt me ligjin, për më shumë burime njerëzore dhe buxhet gjithashtu dhe në strukturat aktuale, si dhe përfundimin e dhomave miqësore për të miturit në të gjitha komisariatet e policisë së vendit. Një i mitur sot është më i mbrojtur ligjërisht se sa dy vite më parë kur kryen një krim, por ajo që synojnë të gjithë aktorët të arrijnë lidhet me parandalimin e krimit dhe rehabilitimin e të miturit pas kryerjes së tij, procese për të cilat ekspertët janë kritikë të paktën për momentin./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat