Interpoli zhgënjen Iranin për arrestimin e Trumpit - Bota Sot
Interpoli zhgënjen Iranin për arrestimin e Trumpit

Amerika

Interpoli zhgënjen Iranin për arrestimin e Trumpit

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 09:59
Donald Trump dhe

Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, i ka dhënë përgjigje negative kërkesës së Iranit për arrestimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani në janar të këtij viti.

Përmes një deklarate, kjo organizatë ka thënë se nuk merr përsipër ndonjë ndërhyrje apo aktivitet me karakter politik, ushtarak, fetar apo racor, shkruan “Free Europe”.

“Prandaj, nëse ose kur kërkesa të tilla dërgohen në Sekretariatin e Përgjithshëm, Interpoli nuk do t’i shqyrtonte kërkesat e kësaj natyre”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Iranin, Brian Hook, tha se Teherani është duke bërë një propagantë që askush nuk e merr seriozisht.

“Vlerësimi ynë është se Interpoli nuk ndërhyn dhe nuk lëshon njoftime të kuqe që bazohen në natyrë politike”, tha Hook gjatë një konference për gazetarë me ministrin saudit për çështje të jashtme në Riad.

Prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr, tha të hënën se Irani ka dorëzuar fletarrestim ndërkombëtar për presidentin amerikan për rolin e tij në vrasjen e komandatit të forcave Quds, Qassem Soleimani, përmes një sulmi me dron në janar të këtij viti.

Sipas tij, Irani ka lëshuar fletarrestime edhe për disa zyrtarë politikë dhe ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, të cilët i akuzoi për vrasje dhe akte terroriste.

Vrasja e ushtarakut Soleimani afër aeroportit të Bagdadit i kishte sjellë afër konfliktit të armatosur Iranin dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar që nga tërheqja e ShBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe kthimi i sanksioneve ekonomike kundër Republikës Islamike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat