SHBA zbraz depot, “Remdesivir” shkurton kohën e shërimit të pacientëve me koronavirus

Amerika

SHBA zbraz depot, “Remdesivir” shkurton kohën e shërimit të pacientëve me koronavirus

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 13:39
Foto Ilustrim

Qeveria amerikane qindra mijëra doza të ilaçit Remdesivir që ndihmon kurimin nga koronavirusi, duke siguruar shumicën e sasisë globale mujore të kompanisë që e prodhon atë. Rastet me kovidin e ri dhe shtrimet në spital janë dyfishuar që nga muaji i kaluar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mësohet se kanë zbrazur thuajse të gjithë depon globale me ilaçin “Remdesivir” për të trajtuar amerikanët e sëmurë me kovidin-19.

Medikamenti i shpikur si kurë kundër ebolës prodhohet nga një kompani biofarmaceutike vendëse dhe është zbuluar se shkurton kohën e shërimit të pacientëve me koronavirus.

Por Departamenti i Shëndetësisë në Uashington thotë se ka blerë më shumë se 500 mijë doza të ilaçit, sasi kjo sa i gjithë prodhimi mujor për korrikun, dhe gati 90 për qind të prodhimit për gushtin dhe shtatorin, duke u mohuar vendeve të tjera nevojat imediate për të sëmurët me kovid.

Një trajtim me “remdesivir” kushton deri 2,300 dollarë për personat që janë të siguruar në shtet ndërsa për shtetet më të varfra trajtimi me ilaçin po sigurohet për afro 600 dollarë.

SHBA-ja konfirmoi një ditë më parë sërish se lakorja e infeksionit të kovidit të ri në vend po ngjitet, duke u shtuar me 44 mijë raste të reja brenda ditës.

Në rang kombëtar, sëmundja infektive ka prekur mbi dy milionë e gjysmë amerikanë dhe ka rezultuar fatale për mbi 127 mijë të tjerë.

Norma mesatare e infeksionit është gati dyfishuar që nga mesi i qershorit, njësoj si numri i shtrimeve në spitale që ka kaluar pikun e muajit prill.

Entoni Fauçi, drejtuesi i Institutit të SHBA-së për Sëmundjet Infektive, i deklaroi Senatit të hënën se ai nuk do të befasohej me arritjen e deri në 100 mijë rasteve të reja me koronavirus në ditë nëse nuk ndërhyhet tani me masa.

“Çdokush që punon me vaksinat thotë se nuk ka garanci a do të kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër koronavirusit. Por mbetemi optimistë me të dhënat paraprake dhe presim që të paktën gjatë dimrit ose fillimit të vitit tjetër, të dimë normën e efikasitetit të këtyre vaksinave.”

Ndërsa disa shtete amerikane kanë nisur të riaplikojnë masat e vjetra, autoritetet në vend apelojnë për mbajtjen e maskave në publik për të ndalur përhapjen e virusit vdekjeprurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat