Senatorët amerikanë do të shqyrtojnë fondet për Agjencinë e Medias Globale - Bota Sot
Senatorët amerikanë do të shqyrtojnë fondet për Agjencinë e Medias Globale

Amerika

Senatorët amerikanë do të shqyrtojnë fondet për Agjencinë e Medias Globale

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 06:28
Ilustrim

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë thotë se ka në plan të shqyrtojë fondet për agjencinë e transmetimeve ndërkombëtare (USAGM) që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera të informacionit nën ombrellën e kësaj agjencie, pasi shefi i ri ekzekutiv shkarkoi krerët e atyre rrjeteve.

Senatorët e njoftuan Shefin Ekzekutiv të USAGM-së, Michael Pack me një letër të mërkurën.

Ligjvënësit thanë se ishin "thellësisht të shqetësuar" nga vendimi i zotit Pack për të pushuar nga puna shefat e Radios Azia e Lirë; Radios Evropa e Lirë/Radio Liria; Rrjetit për Trasmetimet për Lindjen e Mesme; si edhe të Fondit për Teknologji të Hapur.

“Këto veprime që u bënë pa asnjë konsultim me Kongresin, madje as me një njoftim të tij, ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me të ardhmen e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) nën udhëheqjen tuaj", shkruajnë senatorët.

Ata i cilësuan drejtuesit e shkarkuar si "staf të kualifikuar ekspertësh", që u larguan nga detyra "pa arsye konkrete".

“Ne do të bëjmë një analizë të detajuar të fondeve të USAGM-së për të siguruar që transmetimet ndërkombëtare të mos politizohen dhe që agjencia të jetë në gjendje të kryejë plotësisht dhe me efektivitet misionin e saj themelor", thanë senatorët.

Letra ishte nënshkruar nga demokratët Patrick Leahy dhe Chris Van Hollen, dhe republikanët Lindsay Graham dhe Marco Rubio. Ish-ndihmësi i zotit Rubio, Jamie Fly, që drejtonte Radion Evropa e Lirë, ishte një prej të shkarkuarve nga zoti Pack.

Deri tani as zoti Pack as ndonjë zyrtar tjetër i lartë i USAGM-së nuk ka komentuar.

Senati e konfirmoi zotin Pack në krye të USAGM-së muaji e kaluar, dy vjet pasi Presidenti Donald Trump e kishte paraqitur kandidaturën e tij për të drejtuar rrjetin informativ që financohet nga qeveria amerikane.

Zoti Trump e ka sulmuar së fundmi Zërin e Amerikës për ato që ai i quan transmetime pro-kineze dhe raportime pozitive për mënyrën se si e ka trajtuar Kina pandeminë e koronavirusit.

Ai e përmendi vonesën prej dy vitesh në konfirmimin e zotit Pack si shembull të bllokimit demokrat.

Zoti Pack ka premtuar të ruajnë pavarësinë tradicionale të Zërit të Amerikës në mbulimin e lajmeve, gjë që është e garantuar në ligjin amerikan.

Zoti Pack emëroi gazetarin me përvojë të Zërit të Amerikës dhe ish-shefin e Divizionit të Euro-Azisë, Elez Biberaj në postin e drejtorit në detyrë. Zoti Biberaj zëvendëson ish-drejtoren Amanda Bennett, që dha dorëheqjen sapo u konfirmua zoti Pack, duke thënë se ai kishte të drejtën të caktonte drejtuesit e pozicioneve të nivelit të lartë.

“Misioni ynë është sot më i rëndësishëm se kurrë, dhe askush nuk mund të përçojë historinë frymëzuese të Amerikës, perspektivat amerikane dhe të shërbejë si model i lirsë së shtypit, si Zëri i Amerikës”, shkruante të martën zoti Biberaj, në një letër drejtuar punonjësve të Zërit të Amerikës.

Zoti Pack ka emëruar edhe drejtuesit e rrjeteve të tjera të USAGM-së: Jeffrey Scott Shapiro si drejtor në detyrë dhe zëvendës drejtor të Zyrës për Transmetimet në Kubë (OCB); Parameswaran Ponnudurai si president në detyrë për Radion Azia e Lirë; Kelley Sullivan si presidente në në detyrë e rrjetit për Trasmetimet për Lindjen e Mesme ; dhe Daisy Sindelar, si presidente në detyrë e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat