Arrestohet Ghislaine Maxwell, ish e dashur e financierit Epstein në SHBA

Amerika

Arrestohet Ghislaine Maxwell, ish e dashur e financierit Epstein në SHBA

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 16:29
New Hampshire

FBI-ja tha se ka arrestuar Ghislaine Maxwell, ish e dashur dhe bashkëpunëtore e të akuzuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein. Arrestimi u bë të enjten në shtetin New Hampshire.

Ndaj 58-vjeçares rëndon akuza se është përpjekur të joshë persona të mitur për t'u përfshirë në akte seksuale të paligjshme.

Ajo ka qendruar larg syve të publikut që nga vdekja e financierit Epstein, i cili u akuzua për përdhunim dhe trafikim të vajzave të mitura prej gati dy dekadash.

Disa nga viktimat e supozuara të financierit kanë thënë se Maxwell i kishte joshur ato në rrethin e tij, ku ishin abuzuar seksualisht nga ai dhe miq të tij të fuqishëm.

Maxwell aludohej se i sillte viktimat në shtëpinë lukzose të Epsteinit në Manhattan, por deri tani ndaj saj nuk ishin ngritur akuza penale.

Ajo është e bija e manjatit britanik të medias, Robert Maxwell, themelues i një shtëpie botuese dhe pronar i disa tabloidëve si Daily Mirror. Pas vdekjes së tij misterioze në vitin 1991, doli se ai kishte vjedhur qindra miliona dollarë nga fondet e pensioneve të punonjësve për të mbajtur në këmbë perandorinë e tij mediatike që ishte në rënie.

Në fillim të viteve 1990, Ghislaine Maxwell u zhvendos në Nju Jork, ku u mor me shitje pronash të patundshme. Rreth kësaj kohe ajo nisi një marrëdhënie romantike me financierin Epstein, i cili bënte jetë luksoze dhe kishte mjaft njohje në sferat e larta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat