Presidenti Trump risjell "luftëtarin vetmitar", pas anketimeve jo të mira

Amerika

Presidenti Trump risjell "luftëtarin vetmitar", pas anketimeve jo të mira

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 18:59
Presidenti Donald Trump duke mbajtur një fjalim në Marinette, Wisconsin (25 qershor 2020)

Mes rënies së shifrave në anketime, shtimit të presionit për menaxhimin e pandemisë, protestat e lëvizjes Black Lives Matter, si dhe njoftimeve për shpërblime nga Rusia për vrasjet e ushtarakëve amerikanë nga talebanët, Presidenti Donald Trump shkruajti të martën në Twitter: "Luftëtari vetmitar!".

Nuk është hera e parë që Presidenti Trump e ka paraqitur veten si të vetmuar, të indinjuar dhe duke luftuar pavarësisht të gjitha gjasave. Megjithatë mbetet për tu parë se sa efekt do të ketë kjo këtë radhë.

Me zgjedhjet më pak se pesë muaj larg, Presidenti Trump rezulton pas rivalit të tij demokrat në nivel kombëtar, në shtetet kyçe për betejën elektorale dhe madje edhe në zona tradicionalisht republikane, si Missouri the Texas.

Presidenti Trump renditet 10 pikë pas ish-Nënpresidentit Biden në një anketim të Pew Research. 54% e votuesve të regjistruar thonë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ata do të mbështesnin zotin Biden, ose do të anonin drejt votës për të. Ndërkohë, 44% mbështesin Presidentin Trump ose anojnë drejt tij.

Mbështetësit e presidentit vënë në dukje se ai ka qenë kandidati pasues edhe më parë. Në qershor 2016, Donald Trump mbetej prapa Hillary Clinton-it, me deri në 10 pikë, në anketimet kombëtare. Megjithatë ai e mundi atë në Ditën e Zgjedhjeve.

"Anketuesit merren me disa grimca rëre dhe jo me të gjithë plazhin. I vetmi anketim që ka rëndësi është ai i 3 nëntorit, 2020 - i tërë plazhi pra", i tha Zërit të Amerikës, Linda Trocine, kryetare e Partisë Republikane në bashkinë Seminole, të shtetit Florida.

Rodney Anderson, kryetar i Partisë Republikane në bashkinë Dallas, të shtetit Texas, gjithashtu hodhi poshtë shifrat e anketimeve. "Ndërsa afrohet Dita e Zgjedhjeve, arritjet e jashtëzakonshme të kësaj administrate do të dalin në pah dhe do bëjnë kontrast me sfidën e vërtetë të Biden-it për të prodhuar një mesazh sadopak koherent", i tha ai Zërit të Amerikës.

Vetë Presidenti Trump rrezaton konfidencë tek shanset për tu rizgjedhur, duke sinjalizuar se beson tek mbështetja e "shumicës së heshtur", megjithëse zoti Biden është duke e mundur në shumicën e anketimeve.

Tashmë pikëpyetja ngrihet nëse Presidenti Trump, duke qenë në pushtet, do të ushtrojë sërish rolin e kandidatit rebel.

Image
Gjatë një proteste kundër Presidentit Trump në shtetin Illinois

Situatë e përkeqësuar

Ndërsa Presidenti Trump mbetet pas ish-Nënpresidentit Joe Biden në disa anketime që në muajin janar, shifrat për të kanë rënë edhe më tej gjatë javëve të fundit, thotë Robert Griffin, drejtor i punës kërkimore në "Fondin e Demokracisë për Studimin e Votuesve".

Me kriza të shumta në zhvillim e sipër, nuk është e qartë se çfarë po e shkakton rënien, i tha zoti Griffin Zërit të Amerikës, duke shtuar se gara duket "si një malore" për Presidentin Trump.

Në rrethana normale, presidentët që kërkojnë një mandat të dytë zakonisht përmendin arritjet e tyre të katër viteve të kaluara dhe bëjnë përpjekje për katër të tjerë. Ndërsa afronte viti 2020, Presidenti Trump theksonte rregullisht zgjerimin e vazhdueshëm ekonomik të Amerikës dhe papunësinë e ulët në nivel rekord.

Por, trazirat e pandemisë dhe ato sociale kanë gërryer disa nga pikat më të forta të retorikës së Presidentit Trump për historikun e punës së tij, duke i shndërruar zgjedhjet në një referendum për presidencën e tij. Analistët thonë se ai duket se nuk ka shumë strategji, përtej nxjerrjes në pah të fatkeqësive të tij dhe vajtimit të pengesave të hedhura prej tij nga demokratët dhe media "e rreme".

"Kur je bërë tashmë president, mendoj se ekziston një pyetje vërtet solide se si mund të jetë i efektshëm një mesazh i tillë, duke pasur parasysh disa kontradikta që e shoqërojnë", tha zoti Griffin.

Fushata Trump nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të komentuar.

Amerikanët thellësisht të pakënaqur

Sipas të dhënave më të fundit të Pew Research, pjesa e publikut që thotë se janë të kënaqur me mënyrën si gjërat po shkojnë në vend, ka rënë nga 31% në prill, pra gjatë javëve të para të pandemisë, në rreth 12% sot. Për më tepër, tashmë vetëm 19% e republikanëve dhe të anketuarve me prirje republikane thonë se janë të kënaqur. Në të kaluarën, niveli i kënaqësisë në radhët e republikanëve kishte qenë mbi 50% pothuajse përgjatë gjithë presidencës Trump.

Sidoqoftë, megjithë goditjen ekonomike që Amerika ka pësuar gjatë pandemisë, votuesit vazhdojnë të favorizojnë Presidentin Trump mbi ish-Nënpresidentin Biden për menaxhimin e ekonomisë. Analistët thonë se nuk është për t'u habitur që presidenti është përqëndruar tek rihapja e vendit.

"Presidenti do të garonte në kohëra të mira ekonomike dhe tani ai ndodhet në një pozicion të vështirë", i tha Zërit të Amerikës, John Fortier, drejtori i Studimeve për Qeverisjen në Qendrën e Politikave Dypartiake. "Nëse kemi disa ndryshime të rëndësishme deri në zgjedhje, presidenti mund të shpërblehet për rikthimin e gjërave, edhe nëse nuk do të jetë aq mirë sa më parë".

Një ogur më i keq për Presidentin Trump është se votuesit shprehin më pak besim tek ai se tek zoti Biden për çështje të tjera madhore, duke përfshirë marrëdhëniet racore dhe trajtimin e pandemisë. Ndërsa vendi ka përjetuar një rritje prej 80 përqind të rasteve të reja me COVID-19 në dy javët e fundit, mbrojtja e presidentit ka konsistuar kryesisht në fajësimin e testimeve të shtuara. Dhe me shtetet e udhëhequra nga republikanët të goditur veçanërisht fort si Florida, Teksasi dhe Arizona, është e vështirë për të që të fajësojë guvernatorët demokratë, siç ka vepruar në të kaluarën.

Image
Ish-Nënpresidenti Joe Biden duke hequr maskën përpara një fjalimi

Të martën, Joe Biden paraqiti një plan të përditësuar për të menaxhuar pandeminë dhe bëri një qortim të ashpër për Presidentin Trump.

"Ju kujtohet kur ai e nxiti kombin të sakrifikojë së bashku përballë këtij ... 'armiku të padukshëm'? Çfarë ndodhi? Tani është korrik, dhe duket sikur presidenti ynë i kohës së luftës është dorëzuar", tha zoti Biden në fjalën e tij.

Ndërsa shumë i kanë bërë thirrje Presidentit Trumpit që t'i përgjigjet momentit duke u përqëndruar në reagimin ndaj pandemisë dhe në drejtësinë racore, ai në vend të kësaj i ka mëshuar retorikës me doza raciale dhe mesazhit të të qenit i ashpër ndaj krimit.

Ligj dhe rend

Nga Kopshti i Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump në fillim të qershorit u vetëdeklarua "president i ligjit dhe rendit". Ndërsa ai fliste, policia përdori gaz lotsjellës dhe shashka për të shpërndarë protestuesit paqësorë përpara Shtëpisë së Bardhë.

Tre javë më vonë, duke reaguar kundër protestuesve që donin heqjen e statujave të udhëheqësve të Konfederatës dhe figurave që mbështetën skllavërinë dhe supremacinë e bardhë, presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku udhëzohen agjensitë federale të zbatimit të ligjit të ndjekin penalisht personat që dëmtojnë monumentet federale, si dhe të pezullojnë një pjesë të fondeve federale për qytetet që nuk i mbrojnë ato.

Presidenti Trump ka vazhduar ta lidhë veten me retorikën trazuese; madje rishpërndau në Twitter gjatë fundjavës një video në të cilën mbështetësit e tij mund të dëgjohen duke brohoritur "fuqia e bardhë". Të hënën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany mbrojti presidentin, i cili e fshiu mesazhin, dhe tha se "ai nuk e dëgjoi atë frazë të veçantë kur e shpërndau videon".

"Rregulli më themelor në komunikimin politik është që të vazhdoni të bëni të njëjtën gjë, derisa të mos funksionojë më", tha për Zërin e Amerikës, Vanessa Beasley, një profesore e komunikimit politik në Universitetin Vanderbilt. "Ndërsa shoh Presidentin Trump të përforcojë retorikën e tij të prekur nga raca, unë mendoj se ai po supozon se ajo që ka funksionuar në të kaluarën, do të funksionojë përsëri".

Me sondazhin e fundit të Pew Research që tregon se dy të tretat e të rriturve amerikanë mbështesin lëvizjen Black Lives Matter, mbetet të shihet nëse retorika e Presidentit Trump do të rrisë numrat e tij në anketime.

Image

Shteti "i fshehtë"

Presidenti dhe aleatët e tij kanë promovuar prej kohësh teorinë e tij të konspiracionit të "shtetit të fshehtë", duke akuzuar rivalët e tij politikë se po drejtojnë një "puç" për të sabotuar presidencën Trump. Mesazhi ka evoluar, që nga kandidati Trump që garonte si i jashtëm dhe premtonte të "thante kënetën" në vitin 2016, me Presidentin Trump "luftëtarin vetmitar" që në vitin 2020 vazhdon të luftojë me operativët e vendosur thellë brenda qeverisë federale.

Të hënën, ndërsa po rritej debati rreth njoftimeve për të dhëna të zbulimit për shpërblime ruse të ofruara nëse vriten amerikanë në Afganistan, Presidenti Trump nxorri në Twitter një foto të tijën bardh-e-zi, ndërsa tregon me gisht drejt kameras, të shoqëruar nga fjalët e shkruara, "Realisht, nuk më janë qepur mua, por juve. Unë thjesht u jam bërë pengesë". Ishte i njëjti imazh që ai nxori në Twitter menjëherë pasi Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë demokrate, shpalli ngritjen e akuzave ndaj tij në dhjetor 2019.

Të martën, kompania Twitter hoqi mesazhin e Presidentit Trump duke thënë se shkelte politikën e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Image
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany

Shtëpia e Bardhë mohon që presidenti të ishte informuar për të dhënat e zbulimit në lidhje me shpërblimet ruse, duke pretenduar se vlerësimi "nuk ishte verifikuar". Gjatë një konference për shtyp të martën, zonja McEnany fajësoi për rrjedhjen e informacionit "zyrtarë të këqinj të zbulimit".

Zonja McEnany u pyet nëse ajo beson se anëtarët e komunitetit të zbulimit i janë qepur Presidentit Trump.

"Mund të jetë shumë e mundshme", tha ajo. "Dhe nëse është kështu, është absolutisht e dënueshme"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat