Trump vizitë në monumentin gjigant mes polemikash

Amerika

Trump vizitë në monumentin gjigant mes polemikash

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 07:19
Ilustrim

Presidenti Donald Trump pritet të vizitojë të mërkurën monumentin gjigant “Mount Rushmore” në Dakotën e Jugut duke shënuar fillimin e festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit, me një shfaqje patriotike me fishekzjarre para një turme prej mijëra njerëzish. Monumenti është një skulpturë masive ku janë skalitur portretet e presidentëve amerikanë George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln.

Por planet e Presidentit kanë shkaktuar polemika lidhur me rrezikun e përhapjes së koronavirusit apo ndonjë zjarri të fuqishëm si pasojë e fishekzjarreve, së bashku me protesta nga grupet indigjene.

Kjo do të jetë shfaqja e parë me fishekzjarre në "Mount Rushmore" që nga viti 2010 kur Shërbimi i Parkut Kombëtar ndaloi organizime të tilla lidhur me shqetësime se ato mund të bëhen shkak për zjarre. Memoriali rrethohet nga 486 hektarë tokë e pyllëzuar dhe ndodhet ngjitur me shkretëtirën pyllit kombëtar të Black Hills.

Vizita e zotit Trump vjen gjatë një debati kombëtar mbi monumentet që nderojnë udhëheqësit amerikanë të cilët kanë patur skllevër apo pikëpamje raciste. Universitetet dhe qeveritë lokale në të gjithë vendin po heqin monumentet që kanë nxitur debat, në një kohë kur shumë amerikanë po protestojnë për të gjetur mënyra se si të adresohet racizmi sistemik pas vdekjes së George Floyd, një afrikano-amerikani, i cili humbi jetën në duart e policisë në muajin maj. Presidenti i ka kritikuar vazhdimisht protestuesit që duan të heqin statujat e udhëheqësve dhe figurave të Konfederatës që kanë mbështetur skllavërinë dhe epërsinë e racës së bardhë. Zoti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në muajin qershor duke urdhëruar agjencitë federale të zbatimit të ligjit që të ndjekin penalisht ata që dëmtojnë monumentet në tokë federale.

Zgjedhja e "Mount Rushmore" si sfond i festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë është një strategji politike që rrjedh qartë nga debati për monumentet, thotë Vanessa Beasley, e cila jep mësim mbi retorikën presidenciale në universitetin Vanderbilt.

“Trump në thelb po përpiqet t'i thotë audiencës së tij bazë: nëse nuk ju pëlqen ajo që po ndodh me të gjithë këta monumente, do të shkoj tek monumenti më i madh dhe më i palëvizshëm e do ta shpall sikurse të ishte i imi", thotë zonja Beasley për "Zërit të Amerikës". "Nuk mendoj se ka ndonjë nuancë ose paqartësi në atë mesazh".

Ndërsa vendi po përjeton një rritje të rasteve të reja me koronavirus, prej 80 për qind në dy javët e fundit, zyrtarët e shëndetësisë u kanë kërkuar amerikanëve të qëndrojnë në shtëpi më 4 korrik, ndryshe nga tradita me festime të mëdha e parada në qytetite.

"Zgjedhja më e sigurt është që kjo ngjarje të festohet në shtëpi", thuhej në një deklaratë të Autoritetit Shëndetësor të Oregonit.

Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, një republikane që ka punuar me administratën për të organizuar festimet në "Mount Rushmore", tha të hënën se të pranishmëve do t'u sigurohen maska, por nuk do t'u kërkohet të zbatojnë distancën sociale.

"Në Dakotën e Jugut, ne u kemi thënë njerëzve që të përqendrohen tek përgjegjësitë personale. Secili prej tyre ka mundësinë të marrë një vendim që i pëlqen. Pra do të kemi festime me rastin e pavarësisë dhe do të zhvillojmë një aktivitet të madhe 3 korrik", tha ajo gjatë një interviste për rrjetin televiziv "Fox News" në fillim të kësaj jave.

Biletat për ngjarjen me kapacitet prej 7,500 personash u ndanë me llotari në qershor. Në një përpjekje për të balancuar liritë personale në raport me sigurisë publike, Presidenti dhe Guvernatori Noem kanë vendosur të mbështesin lirinë personale, thotë për "Zërin e Amerikës" Michael Cornfield, profesori i asociuar në universitetin George Washington. "Kjo është mjaft e rrezikshme", shton ai./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat