Ushtria meksikane vret 12 anëtarë të dyshuar të bandave të drogës - Bota Sot
Ushtria meksikane vret 12 anëtarë të dyshuar të bandave të drogës

Amerika

Ushtria meksikane vret 12 anëtarë të dyshuar të bandave të drogës

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 08:48
Meksika

Ushtarët meksikanë i kanë vrarë 12 pjesëtarë të dyshuar të bandave të drogës, të cilët ishin të veshur me rroba si të ushtrisë. Përleshja e armatosur ndodhi në qytetin kufitar, Nuevo Laredo.

Zyrtarët thanë se disa persona të armatosur dhe të veshur në stil ushtarak i kanë sulmuar ushtarët e Regjimentit 16 në një lagje afër aeroportit të qytetit. Ushtria i konfiskoi 15 armë të tipit AR-15, një AK-47 dhe dy snajperë të tipit Barret, shkruan “Reuters”.

Në pamjet e publikuara nga mediet lokale shihen trupat e pajetë të ngarkuar në një kamionetë dhe disa të tjerë të shtrirë në rrugët me plot gjak.

Një person tjetër u gjet i vdekur më vonë gjatë ditës së premte. Zyrtarët thanë se vdekja e tij është e lidhur me përleshjen që ndodhi në orët e mëngjesit.

Sipas medieve lokale, personat e vrarë besohet se ishin pjesëtarë të Kartelit të Verilindjes, bandë rajonale që ka mbetur nga grupi i dikurshëm, Zetas.

Ushtria nuk ka treguar nëse ndonjë pjesëtar i saj është plagosur apo vrarë gjatë këtyre luftimeve.

Vrasjet në Meksikë shënuan rekord të ri vitin e kaluar dhe duket se ky rekord do të ndryshojë përsëri gjatë këtij viti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat