A do të ndalohet TikTok në SHBA? Pompeo nuk e përjashton mundësinë - Bota Sot
A do të ndalohet TikTok në SHBA? Pompeo nuk e përjashton mundësinë

Amerika

A do të ndalohet TikTok në SHBA? Pompeo nuk e përjashton mundësinë

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 18:15
Ilustrim

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se Shtetet e Bashkuara "po shohin mundësinë" e ndalimit të aplikacioneve kineze në median sociale, përfshirë TikTok-un, duke sugjeruar se kompania ndante informacione me qeverinë kineze. TikTok e hodhi poshtë një akuzë të tillë.

"Nuk dua të marr një vendim përpara Presidentit (Donald Trump) mbi këtë çështje, por është diçka që po e shtyrtojmë", tha zoti Pompeo në një intervistë për "Fox News".

Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime që lidhen me sigurinë kombëtare mbi mënyrën se si TikTok trajton të dhënat e përdoruesve, duke thënë se ata ishin të shqetësuar mbi legjislacionin kinez që u kërkon kompanive vendase "të mbështesin dhe bashkëpunojnë me organet e zbulimit të kontrolluara nga Partia Komuniste kineze". Zoti Pompeo tha se Amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e aplikacionit në zotërim të kompanisë me bazë në Kinë, "ByteDance".

Kur u pyet nëse zoti Pompeo do t'ua rekomandonte amerikanëve ta shkarkonin aplikacionin TikTok ai tha se: "vetëm nëse ata do të donin që informacionin e tyre privat ta kishte në dorë Partia Komuniste kineze".

Si përgjigje ndaj këtyre komenteve TikTok i tha agjencisë "Reuters" se nuk i kishte dhënë kurrë të dhëna të përdoruesve qeverisë kineze.

"Përparësia jonë më e lartë është reklamimi i një përvoje të sigurt në përdorimin e aplikacionit për përdoruesit tanë. Nuk i kemi dhënë kurrë të dhëna mbi përdoruesit qeverinë kineze dhe as nuk do ta bënim një gjë të tillë nëse do të na kërkohej", tha TikTok në një deklaratë me email.

Aplikacioni, i cili nuk është i disponueshëm në Kinë, ka kërkuar të distancohet nga rrënjët e tij kineze për të joshur një audiencë globale. Komentet e zotit Pompeo vijnë mes rritjes së tensioneve mes SHBA-së dhe Kinës lidhur me trajtimin e shpërthimit të koronavirusit, veprimeve të Kinës ndaj ish-kolonisë britanike, Hong Kongut dhe një luftë gati dy-vjeçare tregtare.

TikTok është ndaluar së fundmi në Indi së bashku me 58 aplikacione të tjera kineze pas një përplasjeje në kufi mes Indisë dhe Kinës. "Reuters" njoftoi të hënën vonë në mbrëmje se TikTok do të largohej nga tregu i Hong Kongut brenda disa ditësh, pas miratimit nga Kina të një ligji të ri mbi sigurisë kombëtare për qytetin. Hong Kongu iu kthye Kinës në 1997 në shkëmbim të garancive për liri e autonomi të gjerë, nën formulën "një vend, dy sisteme" gjë për të cilën u ra dakort me Britaninë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat