Biden propozon mbi 700 miliardë dollarë për fushatën “Bleni produkte Amerikane” - Bota Sot
Biden propozon mbi 700 miliardë dollarë për fushatën “Bleni produkte Amerikane”

Amerika

Biden propozon mbi 700 miliardë dollarë për fushatën “Bleni produkte Amerikane”

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 18:34
Kandidati i demokratëve për President, Joe Biden

Kandidati i demokratëve për President, Joe Biden njoftoi një propozim ekonomik për ndryshimet e rregullave të shpenzimeve të qeverisë federale për të forcuar industrinë amerikane të prodhimit dhe firmat e teknologjisë. Ky pritet të jetë një nga objektivat që ai do të promovojë në fushatën presidenciale këtë vjeshtë.

Ish nënpresidenti Biden bëri thirrje për 400 miliardë dollarë, një rritje katërvjeçare në blerjen nga qeveria të mallrave dhe shërbimeve amerikane, plus 300 miliardë dollarë për hulumtime dhe zhvillime të reja në sektorin amerikan të teknologjisë.

Në mesin e politikave të tjera që ai pritet t’i njoftojë të enjten, është edhe propozimi për forcimin e ligjeve aktuale të "Blerjes së produkteve Amerikane" nga të cilat duhet të përfitojnë firmat amerikane, por që mund të shmangen lehtësisht nga agjencitë qeveritare.

Një përmbledhje e propozimeve ekonomike e publikuar nga fushata e zotit Biden gjithashtu thekson premtimet e tij të gjata për të forcuar të drejtat për negociata kolektive të punëtorëve dhe shfuqizimin e stimujve në formë të taksave të ulëta për korporatat që zhvendosin vendet e punës jashtë vendit.

"Ky do të jetë mobilizimi më i madh i investimeve publike në prokurim, infrastrukturë, hulumtim dhe zhvillim që nga Lufta e Dytë Botërore", tha për agjencinë e lajmeve Associated Press këshilltari i lartë i fushatës së zotit Biden, Jake Sullivan.

Ish nënpresidenti do të diskutojë propozimet të enjten para punonjësve të një fabrike metali në Dunmore të Pensilvanisë. Ky do të jetë i pari në një seri fjalimesh që zoti Biden planifikon të mbajë ndërsa zhvendos linjën e tij të sulmit ndaj Presidentit Donald Trump në fushën e ekonomisë. Ky terren politik konsiderohej një avantazh i qartë i Presidentit republikan përpara se ekonomia të goditej nga pasojat e pandemisë së koronavirusit që çuan në nivele të larta të papunësisë që i afrohen shifrave të regjistruara në kohën e Depresionit të Madh ekonomik.

Një theks i rëndësishëm në industrinë e prodhimit dhe politikën mbi të drejtat e punëtorëve nuk është rastësi. Biden dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e tij me sindikatat dhe të theksojë pretendimet e bëra shpesh se ai mund të fitojë votuesit e klasës punëtore që nxitën fitoren e papritur të Presidentit Trump katër vjet më parë.

Biden do të vazhdojë në javët e ardhshme me një plan energjetik për të luftuar ndryshimin e klimës dhe një paketë të tretë ekonomike për ta bërë më të përballueshme për punonjësit amerikanë kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit.

Republikanët e kanë bërë të qartë se ata do të sulmojnë zotin Biden në fushën e tregtisë dhe ekonomisë, duke e lidhur atë me klasën politike të demokratëve si një mjet të së majtës ekstreme për rritjen e taksave dhe pjesëmarrjen në dekada të politikave tregtare që goditën rëndë punëtorët amerikanë. Presidenti Trump gjithashtu e ka kritikuar zotin Biden duke e quajtur "të dobët për Kinën".

Presidenti Trump dhe zoti Biden e kanë kritikuar Kinën për praktikat e saj të padrejta tregtare, por zoti Biden akuzon Presidentin Trump se po nxit një luftë tregtare me një fuqi ekonomike për të cilën ai "nuk ka një plan" për të fituar.

Për momentin, Biden nuk ka dhënë hollësi se si do të paguante për shpenzimet e reja që ai i ka propozuar. Këshilltarët e tij thanë se ai ka identifikuar burimet e të ardhurave për të gjitha propozimet për shpenzimet e vazhdueshme por jo për ato të njëhershme ose për investimet afatshkurtra si propozimi i tij për të shpenzuar 700 miliardë dollarë në prokurim dhe hulumtim. Kjo ngre mundësinë që Biden të deklarojë se shpenzimet do të rrisin defiçitin buxhetor, por ato kanë për qëllim të stimulojnë ekonominë në vështirësi./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat