Masa të forta ndaj aplikacioneve kineze TikTok dhe WeChat - Bota Sot
Masa të forta ndaj aplikacioneve kineze TikTok dhe WeChat

Amerika

Masa të forta ndaj aplikacioneve kineze TikTok dhe WeChat

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 18:26
Ilustrim

SAN FRANÇISKO - Këshilltari i tregtisë në Shtëpinë e Bardhë Peter Navarro tha të dielën se ai mendon që Presidenti Donald Trump do të veprojë me vendosmëri kundër aplikacioneve TikTok dhe WeChat, mes tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Presidenti Trump javën e kaluar tha se ai po mendon të ndalë aplikacionin popullor TikTok, si një mënyrë për të ndëshkuar Kinën mbi pandeminë e koronavirusit.

Në një intervistë për Fox News, Navarro tha se "ajo që duhet të kuptojë populli amerikan është se të gjitha të dhënat që hyjnë në ato aplikacione, me të cilët fëmijët argëtohen aq shumë... shkojnë drejt dhe tek serverat në Kinë, pikërisht tek ushtria kineze, Partia Komuniste Kineze”.

Ai tha se këto aplikacione mund të përdoren për të vjedhur pronësinë intelektuale. "Pra, prisni masa të forta për këtë" nga Presidenti Trump, paralajmëroi Navarro.

Aplikacioni për shpërndarjen e videove, TikTok, i cili po rritet me shpejtësi, i përket grupit kinez ByteDance dhe ka gati një miliard përdorues në të gjithë botën.

TikTok ka kërkuar të distancohet nga pronarët e saj kinezë, duke vënë në dukje se ka një drejtor ekzekutiv amerikan dhe në mënyrë të vazhdueshme mohon pretendimet se i ndan të dhënat me Pekinin.

WeChat, në pronësi të Tencent, është aplikacioni kryesor i mesazheve në Kinë me më shumë se një miliard përdorues.

Navarro akuzoi gjithashtu shefin e ri të TikTok, Kevin Mayer, ish-kreun e platformave dixhitale të kompanisë Disney, se ishte një kukull amerikane.

Të premten, kompania Amazon tha se gabimisht u dërgoi punonjësve një email ku u kërkohej të hiqnin aplikacionin TikTok nga celularët e tyre për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Një zëdhënës i kompanisë Amazon më vonë i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP se "nuk ka asnjë ndryshim në politikat tona në këtë moment në lidhje me TikTok-un".

Ekipeve të fushatës elektorale demokrate për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u është kërkuar që të shmangin përdorimin e TikTok-ut në pajisjet personale dhe, nëse kjo ndodh, ta mbajnë atë në një telefon që nuk përdoret për punë.

Firma hulumtuese eMarketer vlerëson se TikTok ka më shumë se 52 milionë përdorues në Shtetet e Bashkuara, dhe se ka fituar rreth 12 milionë të tillë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. TikTok-u është veçanërisht popullor mes përdoruesve në moshë të re të telefonave inteligjentë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat