“El Chapo” shpreson të dalë nga burgu

Amerika

“El Chapo” shpreson të dalë nga burgu

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 17:51
El Chapo

Vetëm 1 vit më parë, Joaquin “El Chapo” Guzman, ish-trafikanti më i fuqishëm i drogës në botë, u dënua me burgim të përjetshëm, plus 30 vite, pasi u shpall fajtor për 10 akuza të ndryshme, si trafikim i lëndëve narkotike, pastrim parash dhe vrasje.

Meksikani i kalon ditët në të një qeli me sipërfaqe 6 metra katrorë në Burgun e Sigurisë së Lartë Supermax në Kolorado. Por avokatja e tij tha për CNN se Guzman po pret të marrë lirinë. “Zoti Guzman mbetet i përqendruar te apeli dhe të gjithë po punojmë rreth këtij synimi”, tha Mariel Colon, avokate e Guzman. Ajo dhe pjesa tjetër e skuadrës ligjore të El Chapo-s, po bëjnë gati dokumentet për të apeluar vendimin brenda afatit që është 21 gushti.

Por Agjenti Special i DEA-s, i cili ishte në krye të operacionit që solli arrestimin e El Chapo-s, Ray Donovan, tha se mundësitë që ai të fitojë lirinë janë të pakta. “Duhet të kuptoni se ka një mal me prova kundër El Chapo-s”, tha Donovan për CNN. “Dhe ka aq shumë prova për të gjithë Kartelin e Sinaloas, saqë unë nuk mendoj që ka mundësi as për apelim”.

Për shkak të pandemisë, kufizimet në burg për El Chapo-n janë shtuar. Deri para shpërthimit të Covid-19, ai mund të takonte fizikisht vetëm avokatët dhe dy vajzat e vogla binjake. “Tani ndihet edhe më i vetmuar”, tha Colon. “Ia kanë anuluar plotësisht vizitat. Ai kishte vetëm tre orë liri në javë për të shëtitur ose për t’u stërvitur në oborrin e burgut, por edhe atë ia kanë hequr, për të kufizuar kontaktet me rojet”.

Por Donovan thotë se një njeri si Guzman, përgjegjës për dhunë ekstreme, e meriton këtë. “Njerëzit nuk janë tërësisht të qartë për llojin e dhunës që ai ka ushtruar ndaj njerëzve të tij dhe sigurisht edhe ndaj amerikanëve përmes tregtisë së drogës”, tha Donovan. “Mijëra vetë kanë vdekur ose janë ekzekutuar për shkak të Kartelit te Sinaloas. Jam dakord që ai nuk del nga qelia dhe kjo është e mërzitshme, por të paktën është gjallë, ndryshe nga viktimat e tij”.

Donovan është i bindur që El Chapo (shkurtabiqi) nuk ka asnjë mundësi të dalë nga burgu, por avokatja e Guzman thotë se ai është optimist. “Përshtypja ime është që të gjithë ata të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm do të kapen pas çdo fije shprese. Kështu që ai mezi po pret apelin, pasi dëshiron një gjykim të drejtë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat