Kamera të instaluara mbi revolet e policëve në emër të transparencës

Amerika

Kamera të instaluara mbi revolet e policëve në emër të transparencës

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 22:38
SHBA

Thirrjet për reforma policore në mbarë Shtetet e Bashkuara, kanë sjellë ndryshime në praktikat e forcave të rendit në Kaliforni. Tani departamentet policore të Kalifornisë do të instalojnë kamera në grykën e revoleve që mbajnë policët për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë:

Është një koncept fare i thjeshtë: kamera vendoset mbi grykën e revoles, me pamje nga është e drejtuar arma për të kapur objektet ose personat mbi të cilat mund qëllojë polici. Kamera fillon automatikisht të regjistrojë pamjet sapo polici e nxjerr revolen nga këllëfi.

"Duke parë reagimin e publikut ndaj vdekjeve të civilëve nga të shtënat e policëve, e ndjeva të nevojshme që të kemi edhe këndvështrimin e policit, çfarë sheh ai në momentin kur qëllon me armë,” thotë shefi i policisë së qytetit King Cit, Robert Masterson.

Shefi i policisë së qytetit King City shton se departamenti i tyre do të vazhdojë të përdorë edhe kamerat e instaluara në uniformat e policëve.

Departamenti filloi të analizonte vjet mundësinë për të instaluar kamera mbi revole dhe ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë private Viridian për ta vënë në jetë planin. Muajin e kaluar ky u bë departamenti i parë që fillon këtë praktikë.

Viridian thotë se më shumë se 500 agjenci të zbatimit të rendit në 47 shtete janë në faza të ndryshme të përdorimit të kamerave mbi revole:

"Departamentet që përdorin kamerat në uniformat e policëve e kuptojnë vlerën e provave me video. Ata e kuptojnë se kur polici përgatitet të qëllojë, ai mund të jetë në një pozicion ku e bllokon kameran me trup, ose ndoshta nuk kujtohet ta ndezë kameran pasi është në një moment stresi,” thotë zoti Hadeen.

Sipas statistikave të Byrosë së Drejtësisë, në 2016 thuajse gjysma e agjencive të zbatimit të ligjit kishin blerë kamera që vihen mbi uniformat e policëve. Por, megjithëse dihet se kamerat mbi revole janë një praktikë shumë më e rrallë, nuk dihet ende numri i saktë i këtyre kamerave në përdorim.

Një kamera mbi revole ofroi video të vlefshme në prill 2019 në Teksas duke ndihmuar për të ndriçuar ngjarjet, pasi kamera mbi uniformën e policit ishte bllokuar nga duart e policit që mbanin armën.

Zoti Hedeen thotë se iu desh jurisë vetëm 20 minuta kohë për të arritur një vendim.

Jay Stanley, analist për shoqatën aktiviste, Unioni Amerikan për Liritë Civile, thotë se teknologjia nuk ofron çdo përgjigje:

"Edhe kur shihet ku është drejtuar arma, nuk shihet në video çdo gjë, si për shembull konteksti i ngjarjeve që e solli situatën në këtë pikë. Konteksti ka shumë rëndësi për të analizuar nëse polici po sillej me profesionalizëm apo agresivitet,” thotë zoti Stanley.

Analisti shton se rezultatet e teknologjisë diktohen nga politikat që shoqërojnë përdorimin e kësaj teknologjie.

Politikat në qytetin King City kërkojnë ruajtjen e regjistrimeve nga kamerat e trupit për 6 muaj pas incidentit dhe ruajtjen e regjistrimeve të incidenteve me dhunë për dy vjet./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat