Trump ndryshon strategjinë e fushatës ndërsa rastet e koronavirusit rriten

Amerika

Trump ndryshon strategjinë e fushatës ndërsa rastet e koronavirusit rriten

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 20:37
Donald Trump

Prespektiva e rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump vazhdon të venitet ndërsa rastet e koronavirusit rriten në Shtetet e Bashkuara.

SHBA regjistruan të enjten më shumë se 1100 vdekje nga COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi dhe kaluan shifrën prej më shumë se 4 milionë infeksionesh që kur rasti i parë u dokumentua në SHBA në janar. Numri mesatar i infeksioneve të reja tani po rritet me më shumë se 2.600 në orë në të gjithë vendin, shkalla më e lartë në botë.

Në të njëjtën kohë, sondazhet e opinionit publik tregojnë se Joe Biden, kandidati i supozuar presidencial i Partisë Demokrate, kryeson garën ndaj Trumpit me 15 pikë përqindje në nivel kombëtar, duke parashikuar një fitore në shtetet e rëndësishme dhe grupet demokrafike kryesore, siç janë amerikanët e moshuar, gratë dhe votuesit e pavarur.

Sondazhet e fundit të organizatës Rasmussen Reports, të cilat priren të raportojnë vlerësime më të favorshme për presidentin Trump, e radhisin Joe Bidenin përpara në Pensilvani dhe Ohajo. Një sondazh i rrjetit Fox News e nxjerr Bidenin kryesues në Miçigan, ndërsa një sondazh i organizatës Quinnipiac publikuar të enjten tregon se Joe Biden mund ta mposht Donald Trumpin në Florida.

Në vitin 2016, Trump fitoi të gjitha këto shtete, disa me diferencë shumë të ngushtë, duke arritur një fitore historike në zgjedhjet presidenciale kundër kandidates demokrate Hillary Clinton.

Në analizën e sondazheve të fundit, William Galston, një analist politik me Institutin Brookings, tha se rritja e mosmiratimit të publikut për trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e presidentit, ishte shkaku kryesor për rënien e tij në sondazhe.

"Sa më shumë që zgjedhjet e vitit 2020 të kthehen në një referendum për mënyrën sesi Presidenti Trump e menaxhon krizën, aq më i keq do të jetë rezultati për të," shkruan zoti Galston në një artikull të postuar në faqen e Institutit Brookings në internet.

Ai paralajmëroi gjithashtu se prespektiva politike mund të ndryshojë para zgjedhjeve të nëntorit, dhe se vlerësimet e për punën e presidentit mund të përmirësohen nëse shpërthimi i koronavirusit në vend vihet nën kontroll ose nëse Joe Bideni bën një gabim të rëndë.

Realiteti Politik

Ndërsa Trump nënvlerësoi sondazhet e pafavorshme, duke theksuar se ai gjithashtu ishte pas në sondazhe gjatë gjithë fushatës së vitit 2016, presidenti duket se po e zhvendos strategjinë e tij të fushatës, si dhe përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë për ta marrë më seriozisht pandeminë.

Të enjten, presidenti Trump anuloi papritmas planet për mbajtjen e Konventës Kombëtare Republikane në Xheksonvillë të Floridas, muajin e ardhshëm, një shtet që regjistroi më shumë se 74,000 raste të reja të koronavirusit gjatë javës së fundit. Presidenti tha se ende nuk ishte përcaktuar se ku do të mbajë fjalimin e tij të pranimit të kandidaturës presidenciale të partisë dhe se ngjarjet e tjera do të zëvendësohen me "tele-tubime".

“Unë duhet të mbroj popullin amerikan. Kjo është ajo që kam bërë gjithmonë. Kjo është ajo që do të bëj gjithmonë, "tha Trump të enjten gjatë një konferencë në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti ka mbajtur më parë një tubim me shumë të pranishëm në Tulsa të Oklahomës dhe një tjetër në Ditën e Pavarësisë në Mount Rushmore në Dakotën e Jugut, ku një numër njerëzish rezultuan pozitivë për koronavirusin. Ndër ta ishte edhe Kimberly Guilfoyle, një ish-folëse e kanalit Fox News, e cila ndihmon tani në grumbullime fondesh për rizgjedhjen e presidentit. Zonja Guilfoyle është e dashura e Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit.

Në qershor, Komiteti Kombëtar Demokrat vendosi të zvogëlojë konventën e tij të planifikuar për muajin gusht në Milluoki të Uiskonsënit, dhe njoftoi se do ta organizojë atë "gati të gjithën virtuale". Komiteti Demokrat tha se delegacionet e shteteve do të votonin nga distanca. Ngjarje virtuale do të mbahen në të gjithë vendin, por Joe Bideni do të pranojë emërimin e partisë personalisht në një vend të vogël me një numër të kufizuar të të pranishmëve dhe duke respektuar protokollet e distancimit social.

Fokusi i Pandemisë

Këtë javë presidenti pranoi gjithashtu se kriza e koronavirusit do të "përkeqësohet para se të përmirësohet" ndërsa mbajti konferencën e tij të parë për përgjigjen ndaj pandemisë në gati tre muaj. Ai i bëri thirrje publikut që të mbajë maska dhe "distancën shoqërore" për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Presidenti Trump madje vuri për herë të parë në publik një maskë dhe postoi në Twitter një foto të vetën me maskë. Në një mbishkrim që shoqëronte fotografinë thuhej se vënia e maskës gjatë pandemisë është shenjë patriotike, dhe se "Askush nuk është më Patriotik se unë, Presidenti juaj i preferuar!"

Para këtij ndryshimi, presidenti e kishte minimizuar ashpërsinë e pandemisë. Ai kishte thënë se një ditë virusi do të "zhdukej", ndërsa u bëri thirrje shteteve të lehtësojnë kufizimet dhe të rihapin bizneset pavarësisht rritjes së numrit të rasteve që mbingarkojnë repartet e kujdesit intensiv spitalor në shtete si Florida dhe Teksasi.

Presidenti madje akuzoi demokratët se dëshirojnë të mbajnë shkollat të mbyllura për arsye politike dhe kërcënoi të ndërpresë fondet federale për shkollat që nuk rihapen.

Këtë javë megjithatë, presidenti Trump tha se shtetet që janë aktualisht pika të nxehta të koronavirusit mund të duhet të vonojnë rihapjen e shkollave për disa javë.

Presidenti të martën tha gjithashtu se administrata e tij ishte "në procesin e zhvillimit të një strategjie" për t'i dhënë fund pandemisë së koronavirusit përfundimisht duke zhvilluar një vaksinë efektive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat