Trump sërish me maskë/ Optimist për vaksinën e Covid-it

Amerika

Trump sërish me maskë/ Optimist për vaksinën e Covid-it

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 11:34
Donald Trump

Presidenti Donald Trump u shfaq për të dytën herë në publik me një maskë dhe tha se Shtetet e Bashkuara po ecin mirë në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine, ndërkohë që në Karolinën e Veriut një laborator filloi prodhimin e dozave të një vaksine kandidate.

Presidenti vizitoi mjediset e laboratorit pranë qytetit Rali, ku do të fillojë prodhimi i dozave që do të shërbejnë për provat klinike me 30 mijë vullnetarë. Kompania Fujifilm Diosynth po prodhon doza të vaksinës së zhvilluar nga kompania farmaceutike Novavax, me bazë në Gejthisburg të Merilandit. Kjo kompani mori 1.6 miliardë dollarë nga qeveria federale amerikane në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar prodhimin e një vaksine.

Administrata Trump ka deklaruar Operacionin “Shpejtësia Marramendëse”, një program për mbështetjen e disa operacioneve paralele për zhvillimin e një vaksine me shpresën që brenda muajit janar do të ketë gati për përdorim 300 milionë doza të një vaksine të efektshme dhe të padëmshme. Ndërkohë që presidenti zhvillonte vizitën në Karolinën e Veriut, zëvendëspresidenti Mike Pence ishte në Majami ku filluan të hënën provat klinike të vaksinës që po zhvillohet bashkërisht nga kompania Moderna dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Shtëpia e Bardhë i ka varur shpresat tek prodhimi i shpejtë i një vaksine si kundërpërgjigje ndaj kritikave se administrata ka dështuar në masë të madhe në përpjekjet për të vënë nën kontroll koronavirusin. Por disa ekspertë të shëndetit publik thonë se mund të duhen vite të tëra për të zhvilluar një vaksinë të sigurtë dhe të efektshme.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat