Presidenti Trump, përpjekje për të kufizuar punësimin e të huajve në agjencitë federale - Bota Sot
Presidenti Trump, përpjekje për të kufizuar punësimin e të huajve në agjencitë federale

Amerika

Presidenti Trump, përpjekje për të kufizuar punësimin e të huajve në agjencitë federale

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 07:07
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump të hënën nënshkruajti një urdhër ekzekutiv që detyron të gjitha agjencitë federale që të bëjnë një kontroll të brendshëm për të parë nëse ato po i zëvendësojnë punëtorët e kualifikuar amerikanë me njerëz nga vende të tjera.

Shtëpia e Bardhë tha se urdhri ekzekutiv do të ndihmojë në parandalimin e agjencive federale “që të zëvendësojnë në mënyrë të padrejtë punëtorët amerikanë me punonjës të huaj me kosto më të ulët”.

Urdhri detyron të gjitha agjencitë federale që të bëjnë një kontroll të brendshëm për të parë nëse ato po punësojnë shtetas amerikanë për pozicionet konkurruese në qeverinë federale.

Presidenti Trump tha se kjo lëvizje u nxit pjesërisht nga njoftimi i Autoritetit të Luginës së Tenesisë për transferimin e 20 për qind të fuqisë së saj punëtore të sektorit të teknologjisë tek kompanitë e bazuara në vende të tjera, duke përdorur programin e vizave H-1B.

Urdhri ekzekutiv gjithashtu vjen në një kohë kur disa gazetarë të huaj të Zërit të Amerikës janë në pritje të një vendimi mbi zgjatjen e vizave të tyre J-1, pas vendimit të Agjencisë Amerikane për Median Globale për një rishikim të këtyre vizave.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve të hënën se ai kishte shkarkuar Kryetarin e Bordit të Autoritetit të Luginës së Tenesisë, Skip Thomsion, sepse ai po punësonte punëtorë të huaj dhe po paguhej shumë.

Ai gjithashtu kërcënoi se do të pushonte edhe anëtarët e tjerë të bordit nëse ata vazhdojnë të punësojnë të huaj.

"Nëse tradhtoni punëtorët amerikanë, do të dëgjoni dy fjalë: "Jeni të shkarkuar"", tha Presidenti Trump.

TVA është një korporatë në pronësi federale e themeluar në vitin 1933 për të ofruar ndihmë në vënien nën kontroll të përmbytjeve, prodhimin e energjisë elektrike, plehrave artificalë dhe zhvillimin ekonomik në Luginën e Tenesisë, një rajon që u godit rëndë nga Depresioni i Madh.

FILE - A photo illustration shows a U.S. visa stamp on a foreign passport in Los Angeles, California, June 6, 2020.

Rishikimi i vizave në Agjencinë Amerikane për Median Globale, e cila mbikëqyr Zërin e Amerikës, është pjesë e ndryshimeve të zbatuara që nga ardhja në detyrë e Drejtorit të ri Ekzekutiv, Michael Pack.

Zëri i Amerikës ka 62 kontraktorë dhe 14 punonjës me orar të plotë që gjenden në Shtetet e Bashkuara me vizë J-1, që u jepet individëve me aftësi të posaçme, si atyre që flasin gjuhë të ndryshme.

I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi atë se si urdhri i ri ekzekutiv i Presidentit Trump do të ndikojë programin e vizave J-1 të agjencisë së lajmeve, Shtëpia e Bardhë ofroi adresën e faqes së internetit të qeverisë amerikane për vendet e hapura të punës, ku shpjegohen kushtet e punësimit për ata që nuk kanë shtetësinë amerikane.

Zëdhënësi i USAGM ka thënë se procesi rast pas rasti i shqyrtimit të vizave synon të përmirësojë menaxhimin e agjencisë, të mbrojë sigurinë kombëtare dhe të garantojë se nuk do të ketë abuzime me ligjet për punësimin e shtetasve të huaj.

Disa organizata gazetarësh, përfshirë PEN America dhe National Press Club kanë thënë se vonasat në rinovimin e vizave mund të vë në rrezik shumë gazetarëve të Zërit të Amerikës, të cilët mund të kërcënohen ose arrestohen nëse detyrohen të kthehen në vendet e tyre.

Një numër i panjohur i gazetarëve në entitetet e tjera të Agjencisë Amerikane për Median Globale, përfshirë Radion Evropa e Lirë / Radio Lirinë, Radion Azia e Lirë, Zyrën e Transmetimit në Kubë dhe Lindjen e Mesme, gjithashtu janë prekur nga procesi i rishikimit të vizave.

Vizat J-1 janë në mesin e kategorive të vizave që u ndaluan përkohësisht nga administrata Trump në përgjigje të pandemisë së koronavirusit. Administrata e Presidentit Trump ka argumentuar se punëtorët e huaj nuk duhet të marrin vendet e punës nga shtetasit amerikanë në kohën kur ekonomia po shënon rënie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat