Shërbimi Postar humbje 2.2 miliardë dollarë gjatë pandemisë

Amerika

Shërbimi Postar humbje 2.2 miliardë dollarë gjatë pandemisë

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 09:55
SHBA

Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara thotë se humbi 2.2 miliardë dollarë në tre muajt para korrikut, ndërsa agjencia e bllokuar dhe e goditur rëndë nga koronavirusi, grumbullon humbjet financiare për të cilat zyrtarët paralajmërojnë se mund të arrijnë në 20 miliardë dollarë gjatë dy viteve.

“Pozita jonë financiare është e rëndë, që buron nga rënia e konsiderueshme e vëllimit të postës, një sistem i prishur biznesi dhe një strategji menaxhimi që nuk ka trajtuar në mënyrë adekuate këto çështje”, tha të premten shefi i shërbimit postar amerikan, Louis DeJoy, gjatë konferencës së tij të parë të shtypit që nga marrja e postit në qershor.

“Pa ndryshime dramatike, nuk ka të ardhme”, tha zoti DeJoy para bordit të guvernatorëve të shërbimit postar në një mbledhje të premten.

Ndërsa postimi i paketave brenda vendit u rrit me më shumë se 50 përqind, kjo u kompensua nga rënia e vazhdueshme në postimet e klasit të parë dhe postës së biznesit. Po ashtu u rrit ndjeshëm edhe kostoja për pajisjet mbrojtëse dhe zëvendësimi i punonjësve që u sëmurën ose zgjodhën të qëndrojnë në shtëpi nga frika e virusit, tha zoti DeJoy.

Pa një ndërhyrje nga Kongresi, agjencia përballet me një krizë të pashmangshme fondesh, tha ai. Shërbimi Postar po kërkon 10 miliardë dollarë për të mbuluar humbjet operative si dhe ndryshimet rregullatore që do të zhbëjnë një kërkesë të Kongresit që agjencia të rifinancojë paradhënie disa miliarda dollarë në përfitimet shëndetësore për pensionistët.

Agjencia po bën pjesën e vet, tha zoti DeJoy, një ish grumbullues fondesh për republikanët dhe drejtues i lartë biznesi, i cili mori drejtimin e agjencisë më 15 qershor. 63 vjeçari DeJoy nga Karolina e Veriut, është një donator i rëndësishëm i Presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane. Ai është drejtuesi i parë i Shërbimit Postar amerikan në afro 20 vjet që nuk është punonjës karriere i postës.

Kufizimet për punën pas orarit

Gjatë muajit të parë në detyrë, zoti DeJoy tha se i kishte kërkuar agjencisë që të përqëndrohej fuqishëm tek pasivitetet e rrënjosura në punë, përfshi këtu zbatimin e kufizime të rrepta për punën pas orarit të caktuar. (Puna pas orarit të caktuar paguhet më shumë)

“Duke drejtuar operacionet tona në kohë dhe brenda afatit, dhe duke mos bërë shpenzime të tepërta jashtë orarit apo kosto të tjera, ne do të shtojmë aftësitë tona që të jemi të qëndrueshëm dhe të vazhdojmë të ofrojmë shërbime të përballueshme me cilësi të lartë”,tha zoti DeJoy.

Ndërsa nuk pranoi ankesat e shumta nga anëtarët e Kongresit amerikan mbi vonesat e postës në shkallë kombëtare, zoti DeJoy tha se agjencia do të vëzhgojë rreptësisht dhe trajtojë me shepjtësi çështjet e shërbimeve.

Vlerësimet e zotit DeJoy erdhën ndërsa ligjvënësit nga të dy partitë i bënë thirrje Sherbimit Postar që të kthejë mbrapsht menjëherë ndryshimet operacionale që po shkaktojnë vonesa në dërgesa në mbarë vendin ndërsa pritet të rritet ndjeshëm volumi i punës për votimet me postë për zgjedhjet.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi dhe udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer, thanë të enjten se ndryshimet nga zoti DeJoy rrezikojnë shpërndarjen e postës në kohë, përfshi ilaçet për të moshuarit, çeqet për punonjësit dhe fletëvotimet për votuesit që nuk mund të shkojnë në qendra votimi. Kjo është thelbësore për miliona amerikanë, u shprehën ata.

Në letra të veçanta nga dy republikanë nga shteti Montana, senatori Steve Daines dhe kongresmeni Greg Gianforte, po ashtu i kërkuan Shërbimit Postar që të kthente mbrapsht një direktivë të muajit korrik, që eleminon punën pas orarit për qindra mijëra punonjës të postës dhe mandaton që posta të mbahej deri ditën e nesërme nëse qendrat e shpërndarjes nuk janë në ritmin e duhur.

Kundërshtimi

84 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, përfshi katër republikanë, nënshkruan një tjetër letër kundër ndryshimeve duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm. “Vonesa e postës është e papranueshme” i shkruante ligjvënësi Gianforte të enjten zotit DeJoy. “Mos vazhdo në këtë rrugë.”

Në letrën e tyre të 84 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve u shprehën se, “ishte me rendësi jetike që Shërbimi Postar të mos reduktojë orarin e shpërndarjes së postës, gjë që mund të dëmtojë komunitetet rurale, të moshuarit, bizneset e vogla dhe miliona amerikanë që mbështeten tek posta për dërgimin e letrave dhe paketave.”

Letra në fjalë udërgua nga ligjvënësja demokrate Carolyn Maloney e shtetit të Nju Jorkut, e cila drejton Komisionin e Dhomës së Përfaqësueve për Mbikëqyrjen, dhe i ka kërkuar zotit DeJoy që të dëshmojë në një seancë dëgjimore muajin që vjen.

Furia e letrave erdhi ndërsa një senator demokrat në një panel që mbikëqyr Shërbimin Postar filloi një hetim lidhur me ndryshimet operacionale të agjencisë.

Senatori nga Miçigani Gary Peters, i Komisionit për Sigurinë e Brendshme dhe Marrëdhëniet Qeveritare, tha se zoti DeJoy kishte dështuar të ofronte përgjigje lidhur me vonesat e shërbimeve, pavarësisht kërkesave të përsëritura.Zoti Peters po i kërkon publikut që të ngrejë zërin lidhur me vonesat ose probleme të tjera me postën.

Shërbimi Postar e ka gjetur veten mes vonesës së dërgesave dhe problemeve financiare në një kohë kur numra rekord të fletëvotimeve pritet të postohen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit si rezultat i pandemisë.

Kritika nga Presidenti Trump

Presidenti Trump, një kritik i zëshëm i Shërbimit Postar, u shpreh të mërkurën se “Shërbimi postar nuk ka kohë të mjaftueshme” për të trajtuar një rritje të konsiderueshme të votimit me postë. “Flitet për miliona vota. Është një katastrofë që pret të ndodhë.”

Zoti DeJoy u takua me udhëheqësit demokratë Schumer dhe Pelosi të mërkurën në një sesion me dyer të mbyllura, të cilin zoti Schumer e quajti një diskutim të zjarrtë. Demokratët i thanë zotit DeJoy se “zgjedhjet janë të shenjta” dhe i kërkuan atij që të mos bëjë shkurtime “në një kohë kur të gjitha fletëvotimet vlejnë”, tha zoti Schumer.

Në fjalën e tij drejtuar bordit të guvernatorëve të Shërbimit Postar, zoti DeJoy hodhi poshtë njoftimet se agjencia po ngadalësonte postën zgjedhore apo ndonjë postë tjetër. Ai e quajti trajtimin e postës zgjedhore, “një proces të fuqishëm dhe të provuar”.

“Ndërsa ka gjasa që të ketë një shtim të paparë të volumit të postës zgjedhore si rezultat i pandemisë, Shërbimi Postar ka një kapacitet të bollshëm për të shpërndarë me siguri dhe në kohë të gjithë postën zgjedhore si dhe në përputhje me standartet tona dhe ne do ta bëjmë”, u shpreh zoti DeJoy. “Sidoqoftë, ne nuk mund të korrigjojmë gabimet e bordeve elektorale lokale dhe shtetërore nëse ato dështojnë të vëndosin procese që marrin parasysh standardet tona normale të përpunimit dhe shpërndarjes.”

Demokratët kanë kërkuar 10 miliardë dollarë për Shërbimin Postar gjatë bisedimeve me republikanët lidhur me projekt-ligjin për reagimin ndaj pandemisë. Në një plan për masat kundër koronavirusit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, demokratët patën propozuar 25 miliardë dollarë për Shërbimin Postar. Disa republikanë kryesorë, votuesit e të cilëve janë nga zonat rurale dhe varen kryesisht nga shërbimi postar, e mbështesin idenë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat