Cili kandidat do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit?

Amerika

Cili kandidat do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit?

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 16:13
Joe Biden dhe Donald Trump

Në Shtetet e Bashkuara, anketat tregojnë se kandidati demokrat për president, Joe Biden kryeson ndaj Presidentit Donald Trump për zgjedhjet e nëntorit. Por ndërsa anketat tregojnë se sa popullor është një kandidat në një moment të caktuar, ato nuk përcaktojnë gjithmonë saktë rezultatin e zgjedhjeve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara foli me dy ekspertë që kanë parashikuar fituesin e zgjedhjeve, jo bazuar tek sondazhet, por tek modelet që kanë krijuar vetë.

Viti 2016 tregoi se anketat mund të gabojnë. Shumica e tyre tregonte se Hillary Clinton do të fitonte.

Dy ekspertë amerikanë kanë parashikuar me saktësi fituesit e zgjedhjeve presidenciale.

“Unë kam parashikuar saktë rezultatet e të gjitha zgjedhjeve që nga viti 1984”, thotë Allan Lichtman, profesor historie i Univresitetit Amerikan.

“Modeli im i parashikimit, ka qenë i saktë për 25 nga 27 votime që nga viti 1912”, thotë Helmut Norpoth, profesor i shkencave politike në Unversitetin Stony Brook.

Por cila është metodologjia?

Prof. Lichtman përdor 13 “çelësa”, pyetje për çështje si ekonomia, politika e jashtme, sa e bashkuar është partia dhe karizma e një kandidati. Kur përgjigjia është “po”, ajo konsiderohet në favor të presidentit, ndërsa “jo” në favor të rivalit të tij.

“Nëse të paktën gjashtë nga përgjigjet janë kundër partisë që ka Shtëpinë e Bardhë, ajo pritet të humbasë”, thotë Prof. Lichtman.

Modeli i Prof. Norpothit për zgjedhjet paraprake brenda partisë, përdor statistika që nga viti 1912, me një element kyç: cili kandidat fitoi votimet e hershme paraprake, ose zgjedhjet në nivel shteti, që përcaktojnë kandidatin presidencial të një partie.

“Kam edhe një model tjetër parashikimi që mund të shkojë pas 200 vjet dhe që ndihmon në përcaktimin e fituesit”, thotë ai.

Dhe cili është parashikimi?

“Parashikimi im është se këtë vit, Donald Trump ka 91 për qind shans të fitojë në zgjedhje”, thotë Prof. Norpoth.

“Unë parashikoj se Donald Trump do të humbasë”, thotë Prof. Lichtman.

Ai e ndryshoi parashikimin e tij, pas pandemisë dhe trazirave sociale. Deri në fund të vitit 2019, ai mendonte se zoti Trump, do të fitonte, por…

“Brenda pak muajve, Donald Trump dhe republikanët që fillimisht dukej e sigurt se do të fitonin, kaluan në disavantazh sipas modelit tim”, thotë prof. Lichtman.

Përcaktimi i prof. Norpoth, që nuk mbështet asnjë parti, nuk varet nga pandemia, apo protestat.

“Parashikimi im është përfundimtar. Nuk ndryshon nga faktorët, por mund të dështojë në fund. Ka një shans 9% që të dalë gabim, por unë e marr rrezikun në sy”, thotë ai.

Të dy profesorët thonë se parashikimet e tyre janë përfundimtare, por prof. Lichtman, një demokrat, thotë se dy elementë janë jashtë kontrollit të modelit të tij: ndërhyrja në zgjedhje dhe shtypja e votës.

“Baza e republikanëve përbëhet nga burra të bardhë në moshë, si unë. Ajo pjesë e elektoratit po tkurret. Republikanët nuk mund të nxjerrin të tjerë burra të bardhë në moshë, por mund të përpiqen të ndrydhin votën e bazës demokrate mes pakicave dhe të rinjve. Kjo më shqetëson”, thotë ai.

Asnjë nga profesorët nuk i merr në konsideratë anketat për përfundimet e tyre.

“Jetojmë në një moment të veçantë social. Ndoshta disa njerëz nuk duan t’ia pranojnë as anketuesve, që mbështesin Donald Trumpin se nuk duket mirë në sytë e shumë njerëzve”, thotë prof. Norpoth.

Por cilido që të fitojë, një nga këta profesorë, e parashikoi saktë rezultatin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat