SHBA, dështojnë bisedimet për fondet, republikanët i propozojnë presidentit Trump një urdhër ekzekutiv

Amerika

SHBA, dështojnë bisedimet për fondet, republikanët i propozojnë presidentit Trump një urdhër ekzekutiv

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 18:50
SHBA, dështojnë bisedimet për fondet, republikanët i propozojnë presidentit Trump një urdhër ekzekutiv

Republikanët dhe Demokratët në Uashington nuk i kanë dhënë dot zgjidhje ngërçit për sigurimin e fondeve jetike të asistencës financiare nga Covid-19. Presidenti Donald Trump premton urdhër ekzekutiv dhe akuzon opozitën për përdorim politik të pandemisë.

Palët politike në Kongresin amerikan nuk arritën të premten kompromis për një paketë të pestë financiare për të amortizuar disi pasojat e pandemisë së koronavirusit në vend.

Pas gati dy javëve bisedime, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nensi Pelozi, tha se rivalët republikanë nuk e mirëpritën sugjerimin për dyfishimin e fondeve nga 1 në 2 trilionë dollarë, një lëshim ky edhe nga ana e tyre që më parë kishin kërkuar 3,4 trilionë dollarë, raporton Ora News.

Në një konferencë të përbashkët, Sekretari për Thesarin, ndërkaq, Stivën Mnaçin, tha se pengesat kryesore me opozitën mbeten rreth financimit të pushtetit qendror dhe lokal, për të cilat demokratët kërkojnë 915 miliardë ndërsa republikanët ofrojnë vetëm 150 miliardë dollarë.

Tjetër sfidë është zgjatja në afat e programit të asistencës sociale për dhjetëra milionë amerikanë të mbetur pa punë apo të tjerë që po dëbohen prej qiradhënësve për shkak të pamundësisë për të kryer pagesat prej krizës ekonomike.

Mnaçin propozoi që ngërçin politik ta zgjidhë presidenti Donald Trump me urdhër ekzekutiv.

“Kjo nuk ka qenë alternativa jonë e parë por njerëzit nuk kanë më asistencë papunësie. Do të rekomandojmë urdhër ekzekutiv edhe për kreditë e studentëve. Këto ide do i finalizojmë së shpejti sepse presidenti e di që ka shumë njerëz të prekur nga ky koronavirus.”

Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua të premten se do të ndërmarrë vendime të njëanshme nëse përpjekjet e tij për kompromis nuk marrin pëlqimin e opozitarëve demokratë.

Pak muaj para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, Trump njoftoi anulimin e tatimit mbi pagat deri në fundin e vitit dhe gjasat për ta shtyrë më tej vendimin.

“Kemi një virus që na vjen nga Kina dhe kemi njerëz në Kongres që nuk duan t’i ndihmojnë qytetarët tanë. Nëse demokratët vazhdojnë ta mbajnë peng këtë paketë lehtësuese, do të shfrytëzoj autoritetin tim si president për t’u siguruar amerikanëve ndihmën që u nevojitet.”

Afro 5 milionë amerikanë janë konfirmuar si bartës të koronavirusit dhe 161 mijë prej tyre kanë humbur jetën nga sëmundja infektive.

Opozita e akuzon presidentin Trump për politika të gabuara që e kanë përkeqësuar situatën dhe kanë kërkuar më shumë fonde për testimin e popullatës dhe ndihma financiare për shkollat të cilat ende nuk kanë vendosur a do pranojnë sërish nxënës dhe studentë brenda pak javëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat