Pandemia dhe efektet tek mësim-dhënia

Amerika

Pandemia dhe efektet tek mësim-dhënia

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 18:56
Ilustrim

Një organizatë jofitimprurëse në Virxhinia e quajtur Computer CORE ndihmon emigrantët me të ardhura të ulëta të thellojnë njohuritë për kompjuterat në mënyrë që t'i ndihmojnë ata të gjejnë punë. Sidoqoftë, pandemia e koronavirusit e ka bërë jetën e vështirë për organizatën sepse shumë pak nga studentët kanë kompjuter ose lidhje interneti në shtëpi.

Për më shumë se dy dekada OJQ-ja e quajtur Computer CORE ka ndihmuar emigrantët me të ardhura të ulëta të thellojnë njohuritë për kompjuterat. Sipas qendrës Pew Research, në vitin 2019, katër në dhjetë familje amerikane me më pak se 30,000 dollarë të ardhura vjetore nuk kishin kompjutera në shtëpi.

"Misioni ynë është t'u shërbejmë të rriturve me të ardhura të ulëta, të cilët kanë nevojë për aftësi themelore kompjuterike për të marrë një vend pune", thotë Donna Walker James, drejtore ekzekutive e organizatës.

Instruktorët e organizatës kanë ndihmuar tashmë më shumë se 3000 studentë të mësojnë se si të përdorin një kompjuter. Studentët në Computer CORE vijnë nga mbi 60 vende të ndryshme dhe flasin më shumë se 100 gjuhë.

"Mosha mesatare është rreth 45 ose 50 vjeç. Pra kemi shumë të rritur - pavarësisht nëse kanë qenë këtu për 20 vjet dhe mund të kenë tashmë nënshtetësinë. Disa të tjerë sapo kanë ardhur ... Por ka shumë të rritur që nuk kanë njohuri edhe pse revolucioni i kompjuterave ka 20 vjet që ka ndodhur... "

Gjatë karantinës grupi ka pasur vështirësi të vazhdojë kurset sepse shumica e studentëve të tyre nuk kishin kompjuter në shtëpi. Grupi filloi t'u jepte kompjuterë falas.

"Filluam të shpërndanim kompjutera, pasi kërkuam donacione për të blerë kompjutera me kosto të ulët të rinovuar në internet. Më pas u takuam me studentët individualisht të veshur me maska dhe doreza dhe u dorëzuam atyre kompjuterë. Kemi punuar me ta përmes telefonit për t'i ndihmuar të mësojnë se si t’i instalojnë", thotë Donna Walker James.

Si rezultat, grupi është në gjendje të vazhdojë mësimet nga distanca. Midis tyre: gra që përbëjnë rreth 70% të studentëve në Computer CORE.

“E dija sa e vështirë dhe e mundimshme është të gjesh një punë dhe gjithashtu sa e domosdoshme është të kesh aftësi për kompjuterat. Nuk është e lehtë sot të gjesh punë pa patur njohuritë bazë. Mësojmë studentët dhe ndihmojmë njerëzit që po përballen me vështirësi sidomos tani me koronavirusin pasi shumë njerëz kanë humbur punën”, thotë Nagia Kurabi, instruktore.

Khairieh El Gouch erdhi në SHBA nga Libani në 1994. Ajo ka kaluar 25 vitet e fundit duke punuar në vende pune ku nuk kishte nevojë për aftësi kompjuterike, vitet e fundit si ndihmës-edukatore në një kopsht ditor. Ishte vajza e saj që e inkurajoi më në fund të merrte njohuri për kompjuterat.

"Ndjehem më e aftë për të përdorur kompjuterin, duke mësuar strukturën e tij. Përshembull, programet ose dokumentet në Excel apo Power Point - Unë nuk e kisha idenë për këto, gjuha ishte shumë e vështirë për mua ta kuptoja. Më parë shtypja me një dorë, tani i përdor të dyja!"

Getnet Tadesse është nga Etiopia. Ai punon si shofer Uberi dhe thotë se pasi filloi pandemia në SHBA dhe u zbatuan masa të rrepta karantine, numri i pasagjerëve ka rënë ndjeshëm. Por Tadesse më në fund kishte kohë për të mësuar.

“Do të doja të punoja me kompjutera që këtej e tutje. Është një fillim i mbarë për mua. Jam shumë i lumtur tani - i gjithë stafi i kursit të kompjuterave është shumë i mirë dhe i sjellshëm. Ata na ndihmojnë shumë, kështu që unë jam shumë i lumtur. "

Specialistët thonë se shumë njerëz, veçanërisht të moshuarit, besojnë se aftësitë kompjuterike janë shumë të vështira për t’u përvetësuar. Por, instruktorët në COMPUTER CORE që vetë mësuan ta përdorin kompjuterin në këtë OJQ janë një shembull i mirë se pasi kapërcen frikën fillestare, gjithçka është e mundur./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat