Trump ndërmjetëson marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Emirateve

Amerika

Trump ndërmjetëson marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Emirateve

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 06:20
Donald Trump, Melech Friedman dhe Jared Kushner

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rënë dakord të krijojnë lidhje të plota diplomatike si pjesë e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkzara, njoftoi të enjten Presidenti Donald Trump.

Trump po e quan atë "Marrëveshjen e Abrahamit" sipas emrit të babait të tre feve monoteiste të themeluara në Lindjen e Mesme - Krishtërimi, Islami dhe Judaizmi. Kjo është vetëm marrëveshja e tretë e paqes që Izraeli ka bërë me një komb arab që kur Izraeli u bë një shtet i pavarur në vitin 1948.

Presidenti Trump, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Al Nahyan thanë se shpresojnë që "marrëveshja historike do të përparojë paqen në Lindjen e Mesme".

"Tani që akulli është thyer, unë pres që më shumë vende arabe dhe myslimane do të ndjekin shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe", tha presidenti Trump, gjatë një njoftimi në Zyrën Oval,e ku ai ishte i rrethuar nga anëtarët e administratës së tij, të cilët ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Myslimanët e Emirateve tani mund të luten në Xhaminë historike Al-Aksa në Jeruzalem, vendi i tretë më i shenjtë në fenë Islame, shtoi presidenti Trump.

Netanyahu u shpreh me fjalë të ngrohta për partnerin e tij më të ri diplomatik.

"Njerëzve në Abu Dhabi dhe udhëheqësit të tij, Princit të Kurorës Mohamed bin Zayed, u them "Salam Alekum, Shalom Aleichem. Paqja mbi Ju. Paqja mbi të gjithë ne", tha ai.

Zyrtarët në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, ishin më të matur.

"A është e përsosur? Asgjë nuk është e përsosur në një rajon shumë të vështirë", tha zyrtari i lartë i Emiratet e Bashkuara Arabe Anwar Gargash. "Por mendoj se i përdorëm si duhet kartat tona politike."

Planet e Aneksimit

Sipas marrëveshjes, Izraeli pranon të pezullojë zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin, thanë zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Netanyahu thotë se planet e aneksimit janë në "pritje të përkohshme" ndërsa Gargash tha se marrëveshja është një "goditje vdekjeje" për atë që ai thotë se ishte agresion izraelit.

Kandidati presidencial demokrat Joe Biden, i cili kundërshton planet e aneksimit të Izraelit, tha se "Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli janë në rrugën drejt një Lindje të Mesme më të qetë dhe më të qëndrueshme", tha ai duke shtuar se administrata Biden, në se ai fiton garën, do të kërkojë të çojë më tej këtë përparim.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres tha se zoti Guterres "e mirëpret këtë marrëveshje, duke shpresuar se ajo do të krijojë një mundësi për liderët izraelitë dhe palestinezë të riangazhohen në negociata kuptimplota që do të realizojnë një zgjidhje dy shtetesh në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet bilaterale".

Zemërimi palestinez

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u takua me këshilltarët e tij të lartë të enjten vonë. Zëdhënësi i tij e quajti marrëveshjen "tradhti" dhe i kërkoi Emirateve të Bashkuara Arabe që të anulonin marrëveshjen. Zëdhënësi u bëri thirrje vendeve të tjera arabe të mos e ndjekin këtë shembull "në kurriz të të drejtave palestineze".

Zoti Abbas po thërret ambasadorin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha agjensia zyrtare palestineze e lajmeve.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i tretë arab që normalizon marrëdhëniet me Izraelin, pas Egjiptit dhe Jordanisë.

Ndërsa Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kurrë nuk kanë luftuar me njëri-tjetrin dhe nuk kanë pothuajse asnjë shans që kjo të ndodhë, Emiratet e Bashkuara Arabe gjithmonë kanë refuzuar lidhje më të ngushta me Izraelin për shkak të mungesës së përparimit drejt një marrëveshje palestineze të paqes.

Por analistët e Lindjes së Mesme thonë se Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë përçmimin dhe mosbesimin e Izraelit ndaj Iranit dhe grupeve militante të tilla si Hamasi.

Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja u nënshkrua përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit.

Zyrtarët thanë se marrëveshja është e para e këtij lloji që kur Izraeli dhe Jordania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1994. Ajo gjithashtu shënon për Presidentin Trump një sukses në politikën e jashtme, ndërkohë që ai është në garë për t’u rizgjedhur më 3 nëntor.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se këshilltari i lartë i Presidentit Trump, Jared Kushner, ambasadori amerikan në Izrael David Friedman dhe i dërguari në Lindjen e Mesme Avi Berkowitz u përfshinë ngushtësisht në negociatat për marrëveshjen, po ashtu edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O'Brien.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga të tre vendet thuhej se të tre udhëheqësit kishin "rënë dakord për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe".

"Ky hap diplomatik historik do të avancojë paqen në rajonin e Lindjes së Mesme", thuhet në deklaratë.

Delegacionet nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të takohen në javët e ardhshme për të nënshkruar kontrata dypalëshe në lidhje me investimet, turizmin, fluturimet direkte, sigurinë, telekomunikacionin dhe çështje të tjera, thuhet në deklaratë.

Dy vendet pritet që së shpejti të shkëmbejnë ambasadorë e të kenë përfaqësi diplomatike./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat