Pompeo: SHBA do të punojë për të zgjatur embargon e armëve ndaj Iranit

Amerika

Pompeo: SHBA do të punojë për të zgjatur embargon e armëve ndaj Iranit

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 19:18
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se Teherani është nxitësi kryesor i terrorizmit në botë dhe se nuk duhet të lejohet të blejë ose shesë armë tek vendet e tjera. Komente e zotit Pompeo i papaprijnë një votimi në OKB lidhur me zgjatjen e embargos së armëve ndaj Iranit.

"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi me mjetet tona diplomatike për ta ndaluar këtë gjë", tha zoti Pompeo në një konferencë shtypi në Vjenë të Austrisë. Komentet e zotit Pompeo pasuan takimin e tij me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, si dhe i përprijnë votimit në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të një rezolute amerikane që propozon zgjatjen pa afat të embargos së armëve ndaj Iranit. Rezultatet e votimit pritet të bëhen publike më vonë gjatë ditës së premte. Këshilli pritet ta kundërshtojë rezolutën për shkak të mungesës së mbështetjes nga Evropa, Kina dhe Rusia.

"Ne po nxisim të gjithë botën të na bashkohet", tha zoti Pompeo. "Kjo nuk ka të bëjë me Këshillin e Sigurisë, por ka të bëjë me atë nëse bota do ta lejojë Iranin të blejë e shesë sisteme armësh”, tha ai.

Embargoja e armëve ndaj Iranit skadon në tetor, bazuar në Planin Gjithëpërshirës të Veprimit, njohur gjithashtu si marrëveshja bërthamore me Iranin, nga e cila Presidenti amerikan Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara në vitin 2018.

Zoti Pompeo ndodhet për një udhëtim një javor në Evropën qendrore dhe atë lindore në një kohë kur administrata Trump po kërkon të përballet me konkurrencën ekonomike e gjeopolitike në Evropë, të Rusisë e Kinës. Para udhëtimit të tij të premten zoti Pompeo vizitoi republikën Çeke, Slloveninë, Austrinë dhe Poloninë.

Të enjten zoti Pompeo ishte në Slloveni ku ai dhe homologu i tij slloven Anze Logar nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi teknologjinë 5G. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar të enjten njeh "rëndësinë kritike të sigurisë mbi teknologjinë 5G, si brenda NATO-s ashtu edhe BE-së".

Në një postim në Twitter ajo shkruante se: "Sllovenia i bashkohet një numri në rritje të vendeve të përkushtuara për të garantuar siguri, mbrotje të privatësisë dhe pronës së tyre intelektuale".

Gjatë vitit të kaluar vendet evropiane, përfshirë Poloninë, Estoninë dhe republikën Çeke, kanë nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara duke u zotuar se ofruesit e teknologjisë 5G nuk do t'i nënshtroheshin kontrollit nga një qeveri e huaj pa një shqyrtim të pavarur gjyqësor, i cili në mënyrë të qartë përjashton firmat kineze.

Vizita e zotit Pompeo në Slloveni ishte e para e një sekretari amerikan Shteti, që nga 2011. Gjatë vizitës së tij të mërkurën në republikën Çeke, zoti Pompeo tha se fuqia ekonomike e Kinës, përbën në një farë mënyre një kërcënim më të madh global sesa ç'paraqiste Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Komentet e zotit Pompeo vijnë pasi muajin e kaluar ambasadori kinez në Londër akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të konfliktit me Pekinin para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë përkeqësuar ndjeshëm këtë vit për çështje të tilla si administrimi i koronavirusit nga Pekini apo shtrëngimi nga ana e tij i masave të sigurisë në Hong Kong.

Të mërkurën zoti Pompeo zhvilloi bisedime me kryeministrin çek Andrej Babis në Pragë në ditën e dytë të vizitës së tij njëjavore në Evropën qendrore. Të dy udhëheqësit diskutuan mbi bashkëpunimin në fushën e energjisë bërthamore dhe mbi të ashtuquajturën Nisma e Tre Deteve, një platformë politike që i bën jehonë lidhjeve mes vendeve në Evropën qendrore e lindore duke mbështetur projektet infrastrukturore, në fushën e energjisë dhe ato dixhitale. Vizita vjen pasi Pentagoni përgatitet për të venë në jetë planin për tërheqjen e rreth 12 mijë trupave nga Gjermania dhe rishpërndarjen e një pjese të forcave amerikane në Poloni e vende të të tjera të NATO-s, duke ngritur shqetësime në vend dhe në Evropë. Por zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes e kanë parë këtë lëvizje si një strategji të domosdoshme. Zoti Pompeo diskutoi me autoritetet polake Marrëveshjen e Zgjeruar të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes mes dy vendeve. Marrëveshja i mundëson Shteteve të Bashkuara "praninë me rotacion" të 1000 trupave amerikane shtesë për të forcuar masat për frenimin e Rusisë, forcimin e NATO-s si dhe garanci për aleatët", thonë zyrtarët amerikanë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat