Trump kundër Bidenit për vendosjen e detyruar të maskave në nivel kombëtar

Amerika

Trump kundër Bidenit për vendosjen e detyruar të maskave në nivel kombëtar

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 19:20
Joe Biden dhe Donald Trump

Ai që pritet të jetë kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për garën presidenciale, Joe Biden, bëri thirrje për nxjerrjen e një urdhri në nivel kombëtar që detyron vendosjen e maskave në publik, me qëllim uljen e numrit të vdekjeve nga koronavirusi.

"Nuk ka lidhje me demokratët, republikanët apo të pavarurit", tha zoti Biden, duke shtuar se "çdo amerikan duhet të vendosë një maskë kur ndodhet jashtë, minimalisht për tre muajt e ardhshëm", siç tha ai.

Një orë më vonë, Presidenti Donald Trump akuzoi Biden për politizim të pandemisë dhe pohoi se një vendim i tillë do të dëmtonte ekonominë, duke çuar në depresion për shkak të bllokimit siç tha ai “të të gjithë amerikanëve në bodrumet e tyre për muaj të tërë”.

Në Uilmington ish-Nënpresidenti tha se guvernatorët e çdo shteti "duhet të lëshojnë urdhra për vendosjen me detyrim të maskave", duke shtuar se ekspertët vlerësojnë se një masë e tillë "do të shpëtojë 40 mijë jetë njerëzish në tre muajt e ardhshëm".

Administrata Trump i ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur thirrjet për lëshimin e një urdhri në rang kombëtar për maskat, duke e lënë vendimin në dorën e vetë gurvenatorëve të shteteve.

"Nuk ka të bëjë me të drejtat tuaja", u tha zoti Biden një grupi gazetarësh në shtetin e Dellauerit. "Ka të bëjë me përgjegjësinë tuaj si amerikanë. Kjo është Amerika. Duhet të bëheni patriotë, të mbroni bashkëatdhetarët tuaj. Duhet të bëni gjënë e duhur", tha ai.

Duke iu përgjigjur komenteve të zotit Biden presidenti Trump tha në një konferencë shtypi të enjten në mbrëmje, se ai e kishte theksuar se vendosja e maskës përbënte një akt patriotik.

"Ndoshta janë të shkëlqyera, ndoshta thjeshtë të mira, mbase jo dhe aq", tha zotit Trump për maskat. "Por sinqerisht çfarë mund të humbasësh?!", shtoi më tej ai duke iu referuar vendosjes së maskave.

Zoti Trump tha se megjithatë ekziston një çështje që lidhet me lirinë kur bëhet fjala për të vendosur maska. "Ne duam të kemi njëfarë lirie. Kjo na bën ne ata që jemi", tha presidenti Trump./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat