Rishqyrtimi i hetimit mbi Rusinë: Ish-avokati i FBI-së pritet të pranojë fajësinë

Amerika

Rishqyrtimi i hetimit mbi Rusinë: Ish-avokati i FBI-së pritet të pranojë fajësinë

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 21:33
John Durham

Një ish-jurist i FBI-së pritet të pranojë fajësinë për deklaratë të rreme në çështjen e parë penale që lindi nga një shqyrtim që po i bën prokurori John Durham hetimeve mbi dyshimet për lidhje mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Trump në 2016, me Rusinë. Lajmi u njoftua nga avokati i tij të premten.

Kevin Clinesmith pritet të pranojë fajësinë mbi akuzën për deklaratë të rreme lidhur me ndryshimin e një emaili qeveritar që i referohej një ish-këshilltari të fushatës së zotit Trump, i cili ishte objekt i përgjimeve të FBI-së, tha avokati Justin Shur për agjencinë e lajmeve "Associated Press". Çështja kundër zotit Clinesmith ka të ngjarë të mirëpritet nga Presidenti Donald Trump dhe përkrahësit e tij, ndërsa ata shikojnë tek hetimi i zotit Durham mundësinë për të ekspozuar atë që ata thonë se ishte një veprim i paligjshëm duke iu referuar fillimit të hetimit nga FBI-ja nëse fushata e zotit Trump në koordinim me Kremlinin u përpoq të ndikojë tek rezultati i zgjedhjeve të vitit 2016.

Hetimi i zotit Durham, i cili po shqyrton gjithashtu analizën e komunitetit amerikan të zbulimit mbi ndërhyrjen në zgjedhje të Rusisë, ka shkaktuar shqetësim të thellë mes demokratëve, të cilët e shohin atë si një masë politike, që synon t'i kundërvihet një hetimi tashmë të mbyllur. Demokratët druhen se akuzat penale ose raportet publike të lëshuara pranë zgjedhjeve të vitit 2020 mund të ndikojnë votimet e nëntorit.

Hetimi ka vazhduar së bashku me një përpjekje paralele nga Senati i drejtuar nga republikanët për të diskredituar të hetimin mbi ndërhyrjet ruse dhe ndërsa Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka përshkallëzuar kritikat e tij mbi hetimin e kryer nga FBI-ja. Zoti Barr parashikoi veprimin juridik në një intervistë për "Fox News" të enjten në mbrëmje, ku tha se do të kishte një zhvillim të premten që nuk "do të ishte tronditës", por një tregues se hetimi po ecte përpara.

Zoti Durham, prokurori i Konektikatit, nuk bëri asnjë koment sipas një zëdhënësi. Mbetet e paqartë nëse do të ketë akuza shtesë që mund të paraqesë zoti Durham ose deri në çfarë mase procesi i tij do të vërtetojë pohimet e zoti Trump se hetimi i FBI-së u njollos nga paragjykimet politike, pretendime për të cilat mbikëqyrësi i Departamentit të Drejtësisë nuk gjeti prova.

Sipas rregullore të Departamentit të Drejtësisë prokurorët nuk duhet të ndërmarrin hapa për të hetuar me qëllim ndikimin në zgjedhje. Rregulloret këshillojnë të mos merren veprime publike disa javë para zgjedhjeve. Por zoti Barr ka thënë se ai nuk ndjehet i shtrënguar nga kjo lloj politike pjesërisht sepse siç tha, ai që pritet të jetë kandidati zyrtar i demokratëve për garën presidenciale, Joe Biden, nuk është objekt i hetimit të zotit Durham. Ndërkohë zoti Barr ka sinjalizuar se do të shohë mundësinë t'i bëjë publike gjetjet e zotit Durham para zgjedhjeve. Zoti Clinesmith u referua për ndjekje të mundshme penale nga zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, që kreu një proces rishikimi mbi hetimin ndaj Rusisë. Ai dha dorëheqjen nga FBI-ja vitin e kaluar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat