Ndikimi ekonomik në qytetin ku do të zhvillohej konventa demokrate

Amerika

Ndikimi ekonomik në qytetin ku do të zhvillohej konventa demokrate

Më: 16 gusht 2020 Në ora: 16:46
Uiskonsa

Për herë të parë, partitë politike amerikane po i mbajnë kuvendet për emërimin zyrtar të kandidatit të tyre presidencial nga distanca, duke anuluar grumbullimet e bujshme shumë-ditore që normalisht rrisin ekonomitë e qyteteve mikpritëse.

Para se të godiste pandemia, dhjetëra mijëra demokratë pritej të mblidheshin këtë javë për të emëruar ish nënpresidentin Joe Biden.

Uiskonsën është një nga shtetet më të rëndësishme në zgjedhje, që partia demokrate humbi në vitin 2016.

Në vend që të merrte vizitorët në autobusët e saj turistikë apo të çonte delegatët e konventës në restorante, Theresa Nemetz po përpiqet të mbajë shoferët dhe ciceronët e saj të punësuar - dhe biznesin e saj në aktivitet - duke paketuar dhe shpërndarë mallra të prodhuar në Uiskonsën.

“Nuk po bëjmë asnjë udhëtim pasi e dini që amerikanëve nuk u pëlqejnë të udhëtojnë këto ditë. Paketimi i artikujve të ndihmës më ndihmon sa për të mbuluar shpenzimet dhe për të mbajtur punëtorët në punë”.

Ai që supozohej të ishte një vit fenomenal për kompaninë e saj, Milwaukee Food and City Tours, tani e ka detyruar atë të ndryshojë modelin e saj të biznesit.

“2020 do të ishte viti i Milluokit, dhe ishim të entuziazmuar për atë që pritej të ishte viti më i mirë financiarë që do të kishim”, thotë Theresa.

Nemetz kishte shpresuar që dhjetëra mijëra vizitorët që do të vinin në qytet gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, do të rrisnin biznesin e saj.

"Ne vendosëm 60 ose 70 turne të ndryshme shtesë në kalendarë, dhe prisnim të kishim kërkesa për ekskursione private dhe autobusë me qera."

Por ndërsa numri i rasteve të COVID-19 u rrit, organizatorët fillimisht e shtynë konventën, pastaj e zhvendosën programin virtualisht, derisa më në fund në fillim të gushtit, ish-nënpresidenti Joe Biden njoftoi se nuk do të shkonte në Milluoki për të pranuar emërimin e partisë së tij si kandidat presidencial.

Nuk do të ketë asnjë delegatë të konventës që do të shpenzojë para në Milluoki, një qytet i njohur për birrën e tij, në një shtet që dallohet për prodhimin e djathrave.

"Jam i zhgënjyer që nuk mund të reklamojmë qytetin, por përparësia jonë duhet të jetë ndihma për njerëzit për t’u mëkëmbur. Dhe kjo do të thotë të vazhdojmë punën përmes krizës së COVID-19", thotë Tom Barrett, kryetari i bashkisë së Milluokit.

Për Theresa Nemetzin, 2020-a u kthye nga shkëlqimi në zymtësi në brenda disa ditësh. Dhe ajo nuk është e vetme në këtë vlerësim. Çdo gjë, që nga hotelet, deri tek restorantet dhe kompanitë e taksive, po humbasin të ardhura të konsiderueshme.

“Ndikimi ekonomik prej 200 milionë dollarësh nuk do të ndodh. Dhe ai pritej të ishte më i madh nga 200 milionë dollarë me mbulimin që do t’i bënte media” thotë Claire Koenig.

Claire Koenig punon me qendrën e vizitorëve në Milluoki, një nga organizatat që ndihmuan qytetin të bënte ofertën për të mikpritur konventën. Si gjithë Amerika, ekonomia e Milluokit u prek nga pandemia edhe para se të anulohej konventa.

"Në atë që ka qenë një vit jashtëzakonisht shkatërrues, kjo është edhe më zhgënjyese. Por mendoj se të gjithë e kuptojnë se nuk mund të vendoset asgjë më lart se shëndeti dhe siguria e vendasve dhe pjesëmarrësve".

Koenig thotë se qendra e saj është duke u përshtatur, duke realizuar një seri videosh në internet për të shfaqur qytetin në mënyrë virtuale, dhe po shqyrton mundësinë e blerjes së reklamave televizive për të promovuar Milluokin gjatë mbulimit të konventës. Koenig thotë se grupi i saj po e pret me entuziazëm konventën virtuale.

Ka shumë shpresë se ne mund të sjellim një konventëe politik këtu herën tjetër", thotë Claire Koenig.

"Mikpritja e konventës është një mundësi që të jepet një herë dhe thjesht nuk e di se cila është e ardhmja për Milluokin që të organizojë një konventë në të ardhmen", thotë Theresa Nemetz.

Nemetz thotë se fokusi i saj tani është të përballojë pandeminë, por shpreson se një ditë biznesi i saj do të përfitojë nëse Milluoki merr përsëri mundësinë për të pritur një konventë tjetër./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat