Sfida e shanse unike përballë kandidates demokrate për nënpresidente, Kamala Harris

Amerika

Sfida e shanse unike përballë kandidates demokrate për nënpresidente, Kamala Harris

Më: 22 gusht 2020 Në ora: 06:10
Kamala Harris

Si gruaja e parë me ngjyrë në dyshen konkurrente të një partie kryesore, kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris pritet të mobilizojë votën e pakicave. Por zonja Harris ka gjithashtu një numër sfidash dhe shansesh unike përpara, në fushatë me kandidatin për president Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara ka përcjellë këtë material nga Uilmington i shtetit Delauer, ku zonja Harris mbajti fjalimin kur pranoi emërimin si kandidate për nënpresidente.

Kur Kamala Harris pranoi emërimin si kandidate demokrate për nënpresidente, ajo hyri në histori si e para grua afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane që garon në zgjedhjet presidenciale si pjesë e dyshes përfaqësuese të një partie të kryesore:

“Ne jemi të gjithë së bashku në këtë betejë. Kjo është një përgjegjësi dhe një privilegj i jashtëzakonshëm,” tha zonja Harris.

Thirrja e saj gjen jehonë tek votuesit demokratë.

“Shumë të rinj në të gjithë vendin po duartrokasin dhe po ndjehen pjesë e fushatës, si rezultat i zonjës Harris,” thotë votuesi demokrat, Dorian Tyus.

Para zonjës Harris ka pasur dy kandidate të tjera për nënpresidente: demokratja Geraldine Ferraro në 1984 dhe republikania Sarah Palin në 2008. Të dyja ato u zgjodhën për të tërhequr vota në fushata që renditeshin në disavantazh. Por zonja Harris konkurron përkrah zotit Biden, i cili aktualishte rezulton kryesues në bazë të anketave.

“Zoti Biden është në pozita më të forta, megjithatë e pa me vend të konsolidonte epërsinë e tij me një grua me ngjyrë si kandidate për nënpresidente. Kjo tregon shumë për drejtimin që ka marrë Partia Demokrate dhe vendi,” thotë pedagogu i Universitetit të Çikagos, William Howell.

Gratë në politikën amerikane prej kohësh kanë ndeshur sfida më të shumta krahasuar me burrat, përfshirë komente për paraqitjen apo thjesht për zërin.

Si kandidate me ngjyrë ajo do të tërheqë vëmendje edhe më të madhe për të kaluarën. Megjithëse zonja Harris është shtetase amerikane e lindur në Kaliforni, Presidenti Trump nuk ka përgënjeshtruar pretendimet e rreme që qarkulluan se zonja Harris nuk përmbush kushtet për të garuar, pasi prindërit e saj ishin immigrantë.

Por fjala e fundit është në dorën e votuesve:

“Mua vetë, si fëmijë prindërish immigrantë, nuk më pëlqen që gjithë jetën të përpiqem t’u mbush mendjen njerëzve se jam amerikan. Racistët nuk të besojnë kurrë,” thotë Abdullah Haydar, votues i pavarur.

Zonja Harris, e cila më parë ka qenë prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, do të luajë një rol qendror në kritikat e demokratëve ndaj adiministratës aktuale. Presidenti Trump e ka cilësuar zonjën Harris “të ligë” dhe “të ndyrë“, terma që u komentuan si seksiste.

Zonja Harris ka një shans të jashtëzakonshëm të bëhet e ardhmja e partisë.

Nëse zgjidhet, zoti Biden do të jetë 78 vjeç, pra presidenti më i moshuar kur të bëhet inaugurimi në janar. Ai e ka prezantuar veten si një figurë e tranzicionit, duke lënë të kuptohet se nuk do të konkurrojë për një mandat të dytë.

Kuvendi Kombëtar i Demokratëve ka shpalosur një larmi racore e etnike gjatë punimeve, si dhe një përzierje moshash, gjë që zoti Biden përpiqet ta mishërojë përmes 55-vjeçares Kamala Harris, konkurrentes demokrate për nënpresidente.

“Ai ka sinjalizuar se ka si synim t’ia përcjellë stafetën zonjës Harris dhe njerëzve që kanë të kaluar të ngjashme si ajo,” thotë pedagogu William Howell.

Kjo nënkupton se pavarërisht nga rezultati i zgjedhjeve të 2020, ka shumë gjasa që zonja Harris të konkurrojë për presidente në 2024./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat