SHBA anulojnë vizat e mbi 1000 shtetasve kinezë

Amerika

SHBA anulojnë vizat e mbi 1000 shtetasve kinezë

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara thanë se u kanë anuluar vizat më shumë se një mijë shtetasve kinezë që konsiderohen "me rrezikshmëri të lartë" për sigurinë e SHBA-ve, për shkak të lidhjeve që thuhet se kanë me ushtrinë kineze.

Në një njoftim të publikuar të mërkurën nga Departamenti i Shtetit, thuhet se anulimi i vizave është autorizuar me një proklamatë të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump më 29 maj. Proklamata kishte në shënjestër studentët që kishin studiuar më parë në kolegje dhe universitete të Kinës dhe që kanë lidhje me ushtrinë kineze.

Administrata e Presidentit Trump ka ngritur akuzën se studentët kinezë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara për të vjedhur pronë intelektuale, në favor të sektorëve ekonomikë dhe ushtarakë të Kinës.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha se më tepër se një mijë “studentë pasunivesitarë dhe studiues të diplomuar me rrezikshmëri të lartë”, vizat e të cilëve janë anuluar që nga 1 qershori, përbëjnë vetëm një “grup të vogël” të më shumë se 360 mijë shtetasve kinezë që studiojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara.

"Ne vazhdojmë të mirëpresim studentë dhe studiues të ligjshëm nga Kina, të cilët nuk ndjekin synimet e Partisë Komuniste Kineze për dominim ushtarak," tha zëdhënësja.

Kina akuzoi të enjten Uashingtonin për "përndjekje politike dhe diskriminim racor".

Anulimet e vizave janë një ndër shumë veprimet e ndërsjella hakmarrëse, që pasqyrojnë përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

Dy palët janë përplasur rreth çështjeve të tilla si tregtia, teknologjia, ligji i ashpër i Pekinit për sigurinë kombëtare i imponuar ndaj Hong Kongut, sjellja gjithnjë e më agresive e Kinës ndaj Tajvanit të vetë-qeverisur dhe çështja e pandemisë COVID-19, që u zbulua për herë të parë në fund të vitit të kaluar në qytetin qendror kinez të Uhanit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat