Konfirmimi i gjykatëses Barrett, në qendër të fushatës presidenciale

Amerika

Konfirmimi i gjykatëses Barrett, në qendër të fushatës presidenciale

Më: 16 tetor 2020 Në ora: 00:36
Amy Coney Barrett

Këtë javë senati amerikan zhvilloi seanca konfirmimi për gjyqtaren Amy Coney Barrett për të plotësuar vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë që nga vdekja e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, muajin e kaluar. Anëtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë me mandat të pakufizuar në këtë post, që ka ndikim të madh dhe beteja për të plotësuar vendin bosh është bërë qendra e vëmendjes në garën mes Presidentit Donald Trump dhe sfiduesit të tij, Joe Biden.

Protestuesit dhe mbështetësit e Amy Coney Barrett ishin përballë njëri-tjetrit në sheshin jashtë Gjykatës së Lartë ... ndërsa gjyqtarja konservatore u përball me pyetje të vështira nga demokratët e Senatit, përfshirë atë nëse ajo do të tërhiqet nga shqyrtimi i ankesave që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

"Unë do të ndjek të njëjtat argumenta që gjyqtarët e tjerë përpara meje kanë ndjekur për të përcaktuar nëse rrethanat kërkojnë tërheqjen time ose jo. Por nuk mund të jap një opinion ligjor tani për rezultatin e një vendimi që do të merrja në të ardhmen."

Emërimi i gjyqtarëve konservatorë është një premtim i rëndësishëm i fushatës së presidentit Donald Trump, i cili shpesh e përkufizon atë në terma ideologjikë.

"Në se Joe Biden dhe demokratët marrin pushtetin, ata do ta mbushin Gjykatën e Lartë me radikalë të majtë, që do ta tranformonin në mënyrë të njëanëshme shoqërinë amerikane si asnjëherë tjetër”, tha presidenti Trump.

Duke qënë aktualisht pas në sondazhe, presidenti Trump shpesh pretendon se mundësia e vetme që ai të humbiste ndaj kandidatit demokrat Joe Biden, do të ishte nëse zgjedhjet manipuloheshin. Me dhjetëra çështje gjyqësore të paraqitura që tani për zgjedhjet, me rezultatet e ngushta që priten në shtetet e lëkundura, pas zgjedhjeve mund të ripërsëritet një skenar si gara e vitit 2000 mes kandidatëve George W. Bush dhe Al Gore, ku rezultati u vendos nga një votim në Gjykatën e Lartë.

Deklaratat nga presidenti Trump dhe disa republikanë, që sugjerojnë se gjykatësja Barrett duhet të konfirmohet për të siguruar që gjykata do të vendosë në favor të tyre për çështje të mundshme ligjore paszgjedhore, janë të papërshtatshme, thotë eksperti Adam White.

"Ata kanë krijuar një hije mbi të, që zonja Barrett do të duhet ta largojë përmes punës së saj në gjykatë për ta bërë shumë të qartë se kur të konfirmohet, ajo nuk i përgjigjet Presidentit Trump, nuk i përgjigjet askujt, përveç ligjit”, thotë eksperti.

Nëse gjykatësja Barrett konfirmohet, do të jenë gjashtë gjyqtarë të emëruar nga presidentë republikanë dhe tre nga demokratët.

Nëse Joe Biden-i fiton, disa demokratë duan që ai të shtojë numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në ekuilibrimin ideologjik të gjykatës. Republikanët e kundërshtojnë fuqimisht këtë ide. Numri i gjyqtarëve nuk është i përcaktuar në kushtetutë, por që nga viti 1869 ka pasur gjithmonë nëntë.

“Nëse shtojnë gjithnjë e më shumë vende në gjykatë, do të krijoheshin ndoshta koalicione të vogla që duhet të përfshihen në një lloj kompromisi. Nuk do të thosha se do të ketë shkëmbime favoresh, por gjykata do të dukej gjithnjë e më pak si një organ vendimesh parimore, dhe gjithnjë e më shumë si një grup kompromisesh legjislative", thotë zoti White.

Zoti Biden tha se ai "nuk favorizon zgjerimin e gjykatës" por kryesisht e ka shmangur çështjen, duke u përqëndruar në shqetësimin e demokratëve se gjykata mund të rrëzojë ligjin e njohur si Obamacare që zgjeron qasjen e amerikanëve në kujdesin shëndetësor.

"Gjykatësja e emëruar ka thënë se dëshiron të shfuqizojë ligjin aktual të sigurimeve shëndetësore. Presidenti dëshiron që ky ligj të rrëzohet", tha zoti Biden.

Gjykatësja Barrett këmbënguli se nëse konfirmohet ajo nuk ka axhendë për ligjin Obamacare apo çështje të tjera politike ndarëse, përfshirë të drejtën e abortit dhe martesat e homoseksualëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat