Myslimano-amerikanët në Miçigan, grup i rëndësishëm votuesish

Amerika

Myslimano-amerikanët në Miçigan, grup i rëndësishëm votuesish

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 21:35
foto ilustrim

270,000 myslimano-amerikanët e Miçiganit të regjistruar për të votuar mund të jenë vendimtarë në rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet të lëkundur, me rëndësi të madhe për kandidatët.Votuesit  shpjegon temat që janë parësore për ta:

Për votuesin nga Miçigani Dr. Mahmoud Al-Hadidi, një nga temat kryesore mbi të gjitha në zgjedhjen që do të bëjë më 3 nëntor: respekti.

“Komuniteti mysliman dëshiron të njihet si pjesë e këtij kombi të madh dhe jo të trajtohet si një grupim i huaj në kulturën e vendit. Komuniteti mysliman do të donte të trajtohej me respekt,” thotë Dr. Al-Hadidi.

Në 2016, ky mjek i urgjencës votoi për demokraten Hillary Clinton në garën presidenciale. Ai gjithashtu kishte mbështetur demokraten Gretchen Whitmer kur konkurroi me sukses në garën për guvernatore. Tani ai thotë se nuk është i sigurtë nëse do të mbështesë ish-nënpresidentin Joe Biden apo Presidentin Trump:

“Dua të dëgjoj përgjigje për disa prej shqetësimeve të mia, para se të vendos,” thotë ai.

Një ndër shqetësimet është “Regjistri i Kontrollit për Terroristët” siç njihet zyrtarisht lista e personave nën mbikqyrje. Si shumë myslimano-amerikanë të tjerë, ai mendon se kjo listë shënjestron edhe pjesëtarë të pafajshëm të komunitetit të tyre.

“Pa diskutim, lista duhet rishikuar dhe personat që janë përfshirë pa të drejtë në të, duhet të hiqen dhe t’u rikthehet dinjiteti. Ky do të ishte veprimi i drejtë”.

Dr. Al-Hadidi thotë se do të donte të shihte emërimin e një myslimano-amerikani në një post të lartë në administratën e ardhshme.

“Duhet t’u thuash njerëzve diçka që i frymëzon në mënyrë që të dalin për të votuar. Thjesht fakti që Joe Bideni nuk është Donald Trumpi nuk mjafton për mua që të më nxisi të votoj,” thotë publicisti Osama Siblani.

Osama Siblani menaxhon portalin mediatik Arab American News si dhe një gazetë të pëlqyer nga komuniteti i madh arabo-amerikan dhe myslimano-amerikan në Miçigan.

“Rreth 50-60 për qind e komunitetit tonë nuk është shumë entuziastë për kandidatin Joe Biden. Njëkohësisht ata janë të velur nga kampi i Presidentit Trump,” thotë zoti Siblani.

Zoti Siblani thotë se shumë pjesëtarë të komunitetit janë të revoltuar nga politikat e administratës Trump për të ndaluar hyrjen e vizitorëve nga vende me shumicë myslimane. Zoti Biden është zotuar ta anulojë këtë politikë. Por publicisti thotë se komuniteti gjithashtu vlerëson përpjekjet e Presidentit Trump për të arritur paqe dhe për të reduktuar praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Me gjithë karakterizimet që i bëhen Presidentit Trump, do të donim të zhvillonim një bisedë me administratën e tij. Besoj se ka një numër çështjesh që janë shumë me interes për ne. Fakti që ai nuk ka përqafuar vijën e ashpër në Lindjen e Mesme është shumë i rëndësishëm për ne. Ai gëzon mbështetje, por jo shumë të madhe në komunitet,” thotë zoti Siblani.

“Njerëzit nuk po zgjedhin mes Joe Bidenit dhe Donald Trumpit. Shpesh janë në dilemë të votojnë për Bidenin apo të mos votojnë fare,” thotë Dr. Abdul El-Sayed.

Dr. Abdul El-Sayed, me profesion mjek epidemiolog, konkurroi kundër guvernatores aktuale Gretchen Whitmer për emërimin e demokratëve për garën e 2018-ës. Sot ai kryeson komitetin për veprim politik në Sauthpo të Miçiganit.

“Komunitetit i them se po votojnë për peshën e tyre politike. Ndërkohë që përqindjet e arabo-amerikanëve dhe myslimano-amerikanëve që votojnë rriten në çdo cikël zgjedhor, politikanët do të detyrohen t’i kushtojnë vëmendje këtij komuniteti nëse duan votat e tij. Kjo do të diktojë dallimin mes fitores dhe humbjes,” thotë Dr. El-Sayed.

Një anketë e kohëve të fundit e zhvilluar me myslimano-amerikanë nga Instituti për Politika dhe Mirëkuptim Social tregon se 78% e pjesëtarëve të këtij komuniteti me të drejtë vote janë regjistruar. Kjo shifër përfaqëson 18% rritje krahasuar me 2016-ën.

“Komuniteti myslimano-amerikan nuk voton njëzëri. Nuk ka një mentalitet grupi në votim. Ne jemi komunitet i larmishëm, ashtu si çdo komunitet tjetër në këtë vend,” thotë Dr. El-Sayed.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat