Amy Coney Barrett pritet të konfirmohet si anëtarja e re e Gjykatës së Lartë

Amerika

Amy Coney Barrett pritet të konfirmohet si anëtarja e re e Gjykatës së Lartë

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 20:07
Amy Coney Barrett

Senati amerikan pritet të konfirmojë gjyqtaren Amy Coney Barrett si anëtaren e re të Gjykatës së Lartë në një votim të hënën në mbërmje.

Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të ishte anëtarja e tretë në gjykatën me nëntë anëtarë, që emërohet nga Presidenti Donald Trump dhe do ta zhvendoste ndjeshëm ekuilibrin ideologjik të gjykatës drejt një shumice konservatore 6-3.

Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat dhe Senatorja Susan Collins është e vetmja Republikane që ka lënë të kuptohet se nuk do të votojë pro saj, pasi emërimi i zonjës Barrett bëhet shumë pranë zgjedhjeve presidenciale të javës së ardhshme.

Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e zonjës Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.

Demokratët kanë argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet t’i lihej kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale, një qëndrim që republikanët mbajtën për plotësimin e një vendi të zbrazët në gjykatë në fillim të vitit zgjedhor 2016.

"Senati po vepron siç duhet," tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. "Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit."

Senati votoi 51- 48 të dielën për t'i mbyllur fjalimet e gjata që synojnë të bllokojnë votimin, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar.

"Demokratët po marrin fjalën gjithë natën për të luftuar këtë proces të rremë nga Republikanët e Senatit," tha udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer. "Ne nuk do të ndalemi së luftuari."

Zonja Barrett pothuajse me siguri do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, të cilin zoti Trump ka kërkuar ta rrëzojë.

Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidenti Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë. Fati i ligjit është një shqetësim thelbësor për shumë njerëz mes numrit të shtuar të rasteve të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Kongresi i udhëhequr nga Republikanët në vitin 2017 eliminoi klauzolën e ligjit e cila e bënte të detyrueshme blerjen e sigurimit shëndetësor. Ata tani duan që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin në tërësi, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat