SHBA, Walmart heq armët nga raftet e dyqaneve

Amerika

SHBA, Walmart heq armët nga raftet e dyqaneve

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 17:45
Walmart

Walmart, kompania më e madhe e shitjeve në botë, hoqi këtë javë armët e zjarrit dhe municionet nga raftet e dyqaneve amerikane, për të mbrojtur klientët dhe punonjësit, ndërkohë që tensionet në të gjithë vendin janë rritur.

Kjo masë, e njoftuar nga kompania, vjen disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ndërsa shumë njerëz shqetësohen se rezultati mund të kontestohet ose të shkaktojë dhunë.

"Ne kemi parë disa trazira civile të izoluara dhe siç kemi bërë në disa raste gjatë viteve të fundit, i kemi hequr armët dhe municionet nga raftet si masë paraprake për sigurinë e shitësve dhe të klientëve," tha një zëdhënës i kompanisë Walmart. Kompania nuk ka caktuar ndonjë datë se kur do t'i vendosë përsëri në rafte armët dhe municionet, shtoi ai.

Kompania, e cila e ka qendrën në Bentonvil të shtetit Arkansas, shet armë zjarri në rreth gjysmën e më shumë se 5,000 dyqaneve të saj në SHBA. Walmart tha se do të vazhdojë të shesë artikuj të tillë sipas kërkesës.

Kompanitë e shitjeve me pakicë kanë qenë në gjendje tensioni, pas incidenteve disa muaj më parë, kur njerëzit thyen xhamat, vodhën mallra dhe, disa herë, u vunë zjarrin dyqaneve në Çikago, Nju Jork, Los Anxheles, Portland dhe qytete të tjera amerikane. Një prirje tjetër që ka sjellë shqetësim është se shitjet e armëve në Shtetet e Bashkuara këtë vit kanë arritur nivele rekord dhe muajt e fundit ka patur më shumë njerëz që kanë blerë armë për herë të parë.

Në qershor, kompania Walmart i hoqi armët e zjarrit dhe municionet nga disa dyqane, pas protestave mbarëkombëtare për vdekjen e një afrikano-amerikani të paarmatosur, George Floyd, kur ai ishte i ndaluar nga policia,

Vitin e kaluar, Walmart ndali shitjen e municioneve për pistoletat dhe për disa lloje pushkësh në të gjitha dyqanet e saj në SHBA.

Në të kaluarën kompania gjithashtu ka bërë thirrje për një forcim të kontrolleve për të kaluarën e blerësve të armëve. Ajo ka kërkuar masa që t’u hiqen nga duart armët atyre që paraqesin rrezik për dhunë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat