Zgjedhjet në SHBA: Pushteti që ka Gjykata e Lartë mbi fatin e procesit

Amerika

Zgjedhjet në SHBA: Pushteti që ka Gjykata e Lartë mbi fatin e procesit

Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 17:06
Gjykata e Lartë

Presidentët vijnë dhe shkojnë, por Gjykata e Lartë zgjat përgjithmonë, thoshte dikur Uilliam Taft, presidenti i 27-të i Shteteve të Bashkuara. Gjykata e Lartë, organi më i lartë gjyqësor, i themeluar më 24 shtator 1789, luajti një rol të zbehtë deri në vitin 1800.

Atë vit Shtetet e Bashkuara dolën nga një fushatë e egër elektorale, ku Tomas Xheferson triumfoi kundër presidentit Xhon Adams. Ky i fundit, i tërbuar nga inati vendosi që t’i fuste shkopinj nën rrota rivalit të tij. Disa ditë pasi i skadoi mandati, ai caktoi sekretarin e tij të shtetit, Xhon Marshall si kryetar të Gjykatës së Lartë.

Dhe pikërisht gjatë kryesimit të gjykatës nga Marshall (1801-1835), ajo forcoi pushtetin  saj, në veçanti gjatë gjyqit Marbury vs Madison, kur Gjykata kërkoi kompetencën për të gjykuar kushtetutshmërinë e ligjeve federale. Ishte hera e parë që Gjykata e Lartë e shpalli jo kushtetues një ligj federal, duke dëshmuar autonomi nga pushteti ekzekutiv, dhe ndërthurur fatin e saj me debatin politik në SHBA.

Vendime në favor të skllavërisë

Në vitin 1857 u dha vendimi për çështjen Dred Scott vs Sandford, sipas të cilit skllevërit afro-amerikanë në territorin e SHBA-së nuk ishin të mbrojtur nga Kushtetuta, ndaj nuk mund të padisnin në gjykatë. Gjithashtu u dekretua Shfuqizimi i Kompromisit të Misurit, një pakt i nënshkruar në vitin 1820 me synim frenimin e skllavërisë në Perëndim.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, konsiderohet ende sot si një ndër shkaqet kryesore të Luftës Civile të viteve 1861-1865. Në fund të atij konfliktit, Kongresi miratoi dy ndryshime në Kushtetutë:amendamentin XIII, që shfuqizoi skllavërinë, dhe amendamentin XIV, që synonte rrëzimin e vendimit mbi çështjen Dred Scott vs Sandford.

Republikanët dhe demokratët

Në vitin 1932, Frenklin Ruzvelt (presidenti i 32-të i SHBA-së) u përpoq që të zgjidhte krizën ekonomike me New Deal (Marrëveshjen e Re):një plan ambicioz investimesh publike për të rimëkëmbur ekonominë.

Gjykata -e zhvendosur në të djathtë, dhe në pozicione shumë konservatore – nuk e vlerësoi qasjen statiste të presidentit, dhe nisi një përballje të ashpër me Shtëpinë e Bardhë. Nën presidencën e Erl Uorrenit (1953-1969) ekuilibri i Gjykatës së Lartë u zhvendos në anën e demokratëve:të drejtat civile u forcuan, roli i fesë në shkolla u zbeh,dhe u luftua ndarja racore.

Pati në tërësi një program të gjerë reformash sociale,të cilat u ndeshën me kundërshtime të forta edhe brenda vetë Partisë Demokratike. Gjykata e vazhdoi aktivitetin e saj në dekadën e trazuar që pasoi.

Për shembull në vitin 1973, vendimi i diskutueshëm mbi çështjen Roe vs Wade, që e bëri abortin në çdo rast të ligjshëm, derisa fetusi të mos ishte në gjendje të mbijetonte jashtë barkut të nënës, një vendim që është ende sot shumë përçarës brenda kampeve të ndryshme. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat