Biden paralajmëron për pasoja të rënda nga pandemia

Amerika

Biden paralajmëron për pasoja të rënda nga pandemia

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 15:48
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur Joe Biden parashtroi vizionin e tij për ekonominë amerikane, në një kohë kur vendi është goditur rëndë nga pasojat e pandemisë. Pas një sesioni informimi mbi gjendjen në vend, zoti Biden foli dje mbi masat që do të marrë administrata e tij për të rigjallëruar ekonominë, ndërkohë që akuzoi Presidentin Trump se po pengon procesin e rimëkëmbjes dhe lëvrimin e ndihmave për amerikanët në nevojë.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden paralajmëroi se refuzimi i Presidentit Donald Trump për të njohur tranzicionin përpara inaugurimit më 20 janar mund të ketë pasoja të rënda ndërsa vendi përballet me pandeminë e koronavirusit.

“Më shumë njerëz do të vdesin nëse nuk koordinohemi”, tha zoti Biden në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët të hënën në qytetin e tij Uillmington.

Zoti Biden paralajmëroi sërish për një dimër të vështirë dhe bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm të paketës së ndihmës financiare për koronavirusin.

“Ajo që unë do të bëja është miratimi i menjëhershëm i Ligjit për Heronjtë. I përmban të gjitha fondet dhe kapacitetin për t’u dhënë zgjidhje të gjithë këtyre aspekteve”, tha zoti Biden.

Ai tha se asistenca financiare po shterron dhe se janë 20 milionë amerikanë që rrezikohen të humbasin shtëpitë e tyre sepse nuk përballojnë dot qeratë dhe këstet e kredive.

“Ka ardhur koha që të shpërblejmë, jo vetëm të pasurit në Amerikë. Ne do të krijojmë një strukturë të ndershme taksash dhe do të sigurohemi që më të pasurit dhe korporatat të paguajnë pjesën që u takon”, tha zoti Biden.

Zoti Biden premtoi rritje të rrogave, sanksionimin e një page minimale prej 15 dollarësh në orë në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe programe më të forta sociale për të ringritur klasën e mesme të shoqërisë amerikane.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e parë në botë me mbi 247 mijë viktima dhe mbi 11.1 milionë të infektuar nga koronavirusi. Megjithëse ekonomia e vendit ka rifituar një pjesë të vendeve të punës të humbura që në muajin mars, ende miliona vende pune duket se janë eliminuar nga pandemia dhe ndoshta nuk do të rikthehen, ndërsa niveli i infektimeve nga koronavirusi vazhdon të rritet në mbarë vendin./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat