Përdorimi i urdhrave ekzekutivë pritet të vazhdojë me presidencën Biden

Amerika

Përdorimi i urdhrave ekzekutivë pritet të vazhdojë me presidencën Biden

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 19:22
Donald Trump

Presidentët amerikanë shpesh ndryshojnë politikën e qeverisë përmes urdhrave ekzekutivë, deklaratave ose dokumenteve, duke anashkaluar Kongresin dhe procesin legjislativ. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O'Sullivan, Presidenti Donald Trump është mbështetur shumë në këtë taktikë dhe Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka premtuar se do të bëjë të njëjtën gjë.

Përmes një urdhri ekzekutiv në janar 2017, Trump përkohësisht kufizoi imigrimin nga vendet me shumicë myslimane që ai tha se ishin vatra terrorizmi. Kjo masë u kritikua gjerësisht dhe u bllokua shpejt në gjykata, duke u hapur rrugë betejave ligjore.

Një ndalim më i kufizuar i imigracionit mbeti në fuqi më pas, por ka të ngjarë të shfuqizohet nga Joe Biden, i cili do të betohet si president më 20 janar.

"Meqenëse pothuajse çdo urdhër mund të ndryshohet nga një urdhër pasues, është pothuajse e sigurt që Joe Biden do të vijë i përgatitur të veprojë lidhur me urdhrat ekzekutivë", thotë John Woolley i Projektit të Presidencës Amerikane në Univeristetin e Kalifornisë.

Presidenti i parë, George Washington, lëshoi për herë të parë urdhra ekzekutivë, duke u dhënë udhëzime departamenteve qeveritare.

Abraham Lincoln më pas liroi skllevërit në Deklaratën e Emancipimit, e cila përbëhej nga dy urdhra ekzekutivë të veçantë gjatë Luftës Civile.

Franklin Roosevelt nënshkroi më shumë se 3,700 urdhra ekzekutivë - më shumë se çdo president tjetër.

Fuqia për të ndërmarrë veprime të njëanshme nuk është përcaktuar në Kushtetutë, e cila thjesht thotë se presidenti është në krye të degës ekzekutive të qeverisë.

"Ato u shfaqën sepse janë një zbatim i natyrshëm i kompetencave të gjera të ekzekutivit që parashikon Kushtetuta", thotë Kenneth Mayer i Universitetit të Uiskonsit.

Një nga urdhrat e Franklin Rooseveltit, më vonë i kritikuar gjerësisht, ishte dërgimi i japonezo-amerikanëve në kampe internimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Trump ka përdorur gjithashtu veprime ekzekutive për ndryshime të diskutueshme të politikës, si për shembull tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për klimën, duke anashkaluar Kongresin.

"Ndarja e pushteteve, çështjet kushtetuese tani janë tema të nxehta çdo ditë", thotë Kim Wehle, profesore e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Baltimorës.

Në vitin e parë të Presidentit Trump në detyrë, ai lëshoi 55 urdhra ekzekutivë, përfshirë atë që autorizonte ndërtimin e një muri në kufirin jugor.

Në disa raste degët e qeverisë kanë punuar së bashku. Gjykata e Lartë, përmes një vendimi të rëndësishëm dhe Presidenti Dwight Eisenhower, përmes urdhrit ekzekutiv, integruan shkollat në vitet 1950.

Por ndonjëherë presidentët veprojnë të vetëm, duke hapur konflikt me degët e tjera të qeverisë. Harry Truman shtetëzoi fabrikat e çelikut gjatë Luftës së Koresë.

"Ishte një përpjekje për të marrë nën kontroll industrinë private për qëllime të shërbimit të luftës. Gjykata nuk ishte dakord. Sigurisht, ishte një gjykatë krejt ndryshe nga e sotmja", thotë Prof. Wehle.

Zoti Trump po përdor dy muajt e tij të fundit në detyrë për të lënë gjurmët e tij në qeveri përmes kompetencave të tjera presidenciale, duke vendosur besnikë të tij në poste kyçe dhe duke lëshuar rregullore qeveritare.

"Një nga gjërat që do të shohim me administratën e Presidentit Trump, janë një valë rregulloresh gjatë dy muajve të ardhshëm në përpjekje për të shkaktuar vonesa”, thotë Prof. Woolley.

Kjo do të ngadalësonte por nuk do të ndalonte përpjekjet e zotit Biden për të ndryshuar drejtim./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat