WSJ: Shtëpia e Bardhë nxiti Prokurorin e Lartë federal në Atlanta të jepte dorëheqjen

Amerika

WSJ: Shtëpia e Bardhë nxiti Prokurorin e Lartë federal në Atlanta të jepte dorëheqjen

Më: 11 janar 2021 Në ora: 06:07
Byung J. Pak

UASHINGTON - Shtëpia e Bardhë nxiti Prokurorin e Lartë federal në Atlanta të shtetit Xhorxhia të jepte dorëheqjen përpara balotazhit për në Senatin Amerikan, pasi Presidenti Donald Trump ishte i pakënaqur që ai nuk po bënte sa duhet për të hetuar pretendimet e pabaza të presidentit për mashtrime zgjedhore, njoftoi të shtunën gazeta The Wall Street Journal.

Departamenti i Drejtësisë të martën caktoi një prokuror të ri federal për të udhëhequr zyrën në Atlanta, një ditë pasi prokurori i emëruar nga presidenti Trump për qarkun verior të Xhorxhias, Byung J. Pak, dha papritur dorëheqjen.

Dorëheqja e zotit Pak tërhoqi vëmendje pasi presidenti Trump dukej se i referohej atij në një telefonatë të fundit me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias gjatë së cilës presidenti republikan në largim u kërkoi zyrtarëve të shtetit të përpiqeshin të "gjenin" vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit që ai i humbi ndaj demokratit Joe Biden.

Në një regjistrim të publikuar nga media të shumta, presidenti Trump dukej të ankohej gjatë thirrjes telefonike për prokurorin Pak pa e përmendur atë me emër, duke thënë se kishte një "prokuror gjithmonë kundër Trumpit" në Xhorxhia.

Duke cituar njerëz me njohuri mbi këtë çështje, gazeta shkruan se me urdhër të Shtëpisë së Bardhë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë telefonoi dhe i tha zotit Pakit se duhej të largohej sepse nuk po ndiqte pretendimet për mashtrimin e votave siç kishte kërkuar presidenti Trump.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte ndërsa Departamenti i Drejtësisë dhe zoti Pak nuk iu përgjigjën kërkesave të agjencisë së lajmeve Reuters për komente të shtunën.

Demokrati Raphael Warnock fitoi ndaj republikanes Kelly Loeffler ndërsa demokrati Jon Ossoff fitoi ndaj republikanit David Perdue në balotazhet e së martës, duke u dhënë demokratëve kontrollin e Senatit amerikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat