Brazili ashpërson masat anti-covid: Burg për ata që shkelin rregullat

Amerika

Brazili ashpërson masat anti-covid: Burg për ata që shkelin rregullat

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 15:38
Brazil

Brazili, vendi që mban numrin më të lartë të vdekjeve dhe infeksioneve nga pandemia për shkak të koronavirusit pas SHBA-së, ka ashpërsuar masat parandaluese.

Qyteti i Rio de Janeiro, një nga më të prekurit, ndaloi çdo lloj festë, si dhe shitjet në rrugë gjatë periudhës së Karnavaleve, një prej festivaleve më të mëdha në botë.

Një dekret i nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë Eduardo Paes ndalon, midis 12 dhe 22 shkurt, “grumbullimet dhe paradat e karnavaleve” si dhe çdo “veprimtari rekreative” bashkë me shitjen në rrugë.

Masa përcakton gjithashtu dënime deri në një vit burg dhe gjoba për ata që shkelin rregullin, duke vënë në rrezik shëndetin publik.

Festivalet e karnavaleve në Rio janë një makth i vërtetë për epidemiologët, pasi ata grumbullojnë miliona njerëz në të gjithë qytetin për disa ditë, me paradat masive. Për këtë arsye, Festivali i përvitshëm i shkollave të sambave nuk do të mund të zhvillohet deri në vitin 2022.

Sipas të dhënave të Ministrisë Braziliane të Shëndetësisë, qyteti i Rio, me 6.7 milion banorë ka 17,535 vdekje, ndërsa Sao Paulo 17,523 deri javën e kaluar. Shteti i Rios (16.5 milion banorë) është gjithashtu i dyti nga 27 shtetet braziliane më të prekura nga pandemia, i tejkaluar vetëm nga Amazon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat