Amerikanët nuk heqin dorë nga aeroplani luftarak F-15, prezantojnë versionin më të avancuar F-15EX

Amerika

Amerikanët nuk heqin dorë nga aeroplani luftarak F-15, prezantojnë versionin më të avancuar F-15EX

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 00:44
F-15

Kompania amerikane Boeing, pati njoftuar gjatë 2 shkurtit se në aeroportin ndërkombëtar St Louis Lambert, është realizuar fluturimi i parë i aeroplanit luftarak F-15EX, i cili së shpejti do të fillojë prodhimin serik dhe do t’i bashkohet flotës së forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Fjala është për F-15EX që ndryshe njihet si EX1 dhe që mban numrin serik 20-001, e që deri më tani janë prodhuar tetë sosh ku dy prej tyre kanë shërbyer për kryerjen e testeve të shumta.

Fluturimi i parë ka zgjatur 90 minuta dhe ka rezultuar një fluturim i suksesshëm, kurse shefi i pilotëve të Boeing, Matt Giese, ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha testimet përmes softuerëve të avancuar, e ekipi që ishte në tokë në kohë reale ka përcjell mbledhjen e të dhënave duke konfirmuar se aeroplani ka funksionuar ashtu siç ishte planifikuar.

Nënkryetari i Boeing dhe njëherit menaxher i programit F-15, Pratt Kumar, ka deklaruar se me fluturimin e suksesshëm është dëshmuar siguria e aeroplanit dhe gatishmëria e kësaj fluturake që t’i bashkohet flotës së aeroplanëve të forcave ajrore të SHBA-ve.

Fillimisht ishte planifikuar që EX1 dhe F-15EX të porositën për në gusht të këtij viti, por nga Boeing kanë bërë të ditur se një gjë e tillë do të ndodhë në tremujorin e parë. Gjashtë fluturaket e para do të dërgohen për testime të mëtutjeshme në bazën ajrore Anglin në Florida. Prodhimi serik planifikohet të ndodh në vitin 2023, e seria e parë e F-15EX është planifikuar të jetë 123 sosh që do t’i bashkohen skuadriljes “Red Hawks”.

Forcat ajrore kanë njoftuar se kostoja e tetë aeroplanëve të parë të F-15EX kapin vlerën e 1.1 miliardë dollarë, dhe bëhet fjalë për aeroplanët e gjeneratës së katërt. Për herë të fundit kur forcat ajrore ishin “furnizuar” me aeroplanë luftarak, ishte viti 2005 kur “zbarkuan” nëpër baza ajrore F-16 dhe F-15E.

Këto fluturake pritet gradualisht të zëvendësojnë aeroplanët F-15C dhe D që janë mbi 36 vite të vjetër, kurse ka modele qysh nga viti 1979. Në forcat ajrore ende gjenden modelet 210 F-15C dhe 23 F-15D, por aty është edhe 218 F-15E që janë 29 vite të vjetër.

Për dallim nga F-15 i zakonshëm, F-15 EX i ri ka AESA radar Raytheon AN/APG-82, komanda digjitale fly-by-wire, sistem të ri për luftime elektronike Eagle Passive/Active Warning and Survivability System (EPPAËS) që është zhvilluar nga BA Systems, një kabinë plotësisht e re e pilotit me ekran digjital shumëdimensional (Wire Area Display), kompjuter ADCP-II që raportohet të jetë më i shpejti në botë në procesimin e të dhënave.

F-15EX paraqet versionin më të avancuar të F-15, që është i bazuar në versionin F-15QA që ishte zhvilluar në Katar dhe që më pas kishte vazhduar me variantet F-15SA, që e kishte porositur edhe Arabia Saudite. Të gjitha këto modele kanë prejardhjen nga F-15E “Strike Eagle” dhe janë pjesë e familjes F-15 Advanced Eagle.

Do të jetë aeroplani F-15 që më së miri do të armatoset, do të ketë mbajtëse për municion e nën krah do të ketë dy pika kyçe për raketa të ndryshme. Sipas ekspertëve të fushës, do të ketë 22 raketa ajër-ajër si dhe ato supersonike ajër-tokë (spekulohet se përkohësisht do të jenë zgjedhje AGM-183 ARRW – Air-launched Rapid Response Weapon testimi i të cilave është në proces e sipër). Gjithashtu në fluturake do të vendosen të ashtuquajtur rezervuarë për karburant (Conformal Fuel Tanks).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat