E akuzon për përdhunim, shkrimtarja kërkon që ish-presidenti Trump të dëshmojë

Amerika

E akuzon për përdhunim, shkrimtarja kërkon që ish-presidenti Trump të dëshmojë

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 21:22
Shkrimtarja E. Jean Carroll

Shkrimtarja E. Jean Carroll po kërkon që ish-Presidenti Donald Trump, të cilin ajo e akuzon për përdhunimin e saj dekada më parë, të dëshmojë në një proces gjyqësor kundër tij. Zonja Carroll thotë se ajo është përdhunuar në një dyqan të Nju Jorkut gjatë një vizite në dhjetor, dekada më parë ku kishte shkuar për të bërë pazar me një konsulent mode për të gjetur "veshjen më të mirë" për një nga ditët më të rëndësishme të jetës së saj.

Avokatët e saj po kërkojnë që zoti Trump të dëshmojë në një proces gjyqësor për shpifje që zonja Carroll nisi kundër ish-presidentit në nëntor 2019, pasi ai mohoi akuzën e saj për përdhunim në një dyqan të Manhatanit në mes të viteve 1990. Zoti Trump tha se ai nuk e kishte njohur kurrë zonjën Carroll dhe e akuzoi atë për mashtrim me qëllimin për të shitur librin e saj të ri, duke shtuar se "ajo nuk ishte tip që i përshtatej atij".

Zonja Carroll thotë se ka në plan të jetë në gjyq nëse zoti Trump do të dëshmonte.

"Po pres momentin që të hyj në atë sallë për t'u ulur në tavolinën matanë tij", tha zonja Carroll në një intervistë për agjencinë Reuters. "E mendoj këtë gjë çdo ditë", shtoi ajo.

Zonja Carroll, aktualisht 77 vjeç, e cila ka shkruar më parë në revistën “Elle”, kërkon dëmshpërblim por pa e specifikuar ende si dhe tërheqjen e zotit Trump nga deklaratat e tij. Ky është një nga dy rastet për shpifje që përfshijnë akuza për abuzim seksual ndaj zotit Trump, të cilat mund të përparojnë më shpejtësi tashmë që zoti Trump është larguar nga posti i presidentit. Ndërsa ishte në detyrë, avokatët e zotit Trump e vonuan çështjen pjesërisht duke argumentuar se detyrat e ngutshme të zyrës së tij e bënin të pamundur përgjigjen ndaj padive civile.

"E vetmja pengesë për të vazhduar me paditë civile ishte se ai ishte president", thotë Jennifer Rodgers, një ish-prokurore federale dhe aktualisht ndihmës profesoreshë e së drejtës klinike në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Nju Jorkut.

"Mendoj se mes gjyqtarëve tashmë do të ekzistojë ndjenja se është koha për të bërë përpara me këto çështje", thotë Roberta Kaplan, avokate e zonjës Carroll.

Një nga avokatët e zotin Trump dhe një përfaqësues tjetër i ish-presidentit nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.

Zoti Trump përballet me një padi të ngjashme për shpifje nga Summer Zervos, e cila ishte konkurrente në shfaqjen televizive të tij "The Apprentice". Në vitin 2016, zonja Zervos akuzoi zotin Trump për abuzim seksual, duke thënë se ai e puthi atë kundër vullnetit të saj në një takim në 2007 në Nju Jork dhe më vonë e përqafoi atë në një hotel në Kaliforni ndërsa të dy u takuan për të diskutuar mundësitë për punësim.

Zoti Trump i mohoi akuzat dhe e quajti zonjën Zervos një gënjeshtare, çka e shtyu atë (Summer Zervos) të padisë zotin Trump për shpifje në 2017, duke kërkuar dëmshpërblim dhe tërheqje nga pohimet e tij. Zoti Trump u përpoq, por pa sukses që çështja të pushohej, duke argumentuar se si president, ai ishte imun ndaj padive të paraqitura në gjykatat e shtetit. Avokatët e tij e apeluan çështjen në Gjykatën e Apelit të Nju Jorkut, e cila është ende duke e shqyrtuar atë. Zonja Zervos paraqiti një kërkesë në fillim të shkurtit duke kërkuar që gjykata të vazhdojë me çështjen tashmë që zoti Trump nuk është më president./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat