Biden përmbys vendimin e Trumpit për ndalesa ndaj imigrantëve

Amerika

Biden përmbys vendimin e Trumpit për ndalesa ndaj imigrantëve

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 10:15
Presidenti amerikan Joe Biden

 

Presidenti amerikan Joe Biden ka përmbysur një vendim të ish-presidentit Donald Trump, për të bllokuar aplikuesit e lejeve të qëndrimit (green card), që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

 

Trump pati bërë këtë ndalesë vitin e kaluar, duke thënë se është e nevojshme që të mbrohen punëtorët amerikanë në kohën e papunësisë së lartë, të nxitur nga koronavirusi.

Kjo ndalesë ishte planifikuar të zgjaste deri në fund të vitit 2020, mirëpo Trump e ka zgjatur atë deri në fund të marsit, në ditët e fundit sa ka qenë në pushtet.

Shumica e vizave të imigrantëve janë bllokuar me këtë urdhër, bazuar në deklaratat e avokatëve për imigrim.

Imigrantët nuk kanë mundur të marrin familjarët e tyre, përveç nëse ata kanë qenë shtetas amerikanë, që kanë aplikuar për viza për bashkëshortët apo fëmijët nën moshën 21-vjeçare.

Imigrantët me viza puna po ashtu nuk kanë mundur të shkojnë në SHBA gjatë kësaj kohe, përveç nëse kanë pasur aftësi në fushën e kujdesit shëndetësor dhe profesione të tilla të ngjashme.

Sipas vendimit të ri, të 24 shkurtit, Biden ka pezulluar këto vendime, duke thënë se mbyllja e dyerve për imigrantët e ligjshëm “nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Ai ka kundërshtuar pretendimet e Trumpit se imigrantët mund të dëmtojnë tregun e punës, duke thënë se urdhrat u kanë pamundësuar familjeve që të bashkohen, si dhe kanë dëmtuar bizneset amerikane.

Biden, demokrat, është zotuar për të kthyer mbrapsht një mori politikash të Trumpit për imigrim.

Ai më parë ka hedhur poshtë vendimin e Trumpit për t’iu ndaluar hyrjen banorëve të shteteve me shumicë myslimane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat