Përpjekjet e republikanëve për të kufizuar të drejtën e votës

Amerika

Përpjekjet e republikanëve për të kufizuar të drejtën e votës

Më: 4 mars 2021 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

Ligjvënësit republikanë në dhjetëra shtete amerikane po bëjnë përpjekje për të miratuar projektligje që do të kufizonin votimin, pas pjesëmarrjes rekord të votuesve në zgjedhjet e vitit 2020 ku demokratët morën Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh thotë se shteti i Ajouës është një nga shumë shtete që pritet të miratojnë ligje që mund të kufizojnë qasjen e votuesve në zgjedhje.

Më shumë se 2 milionë banorë të Ajouës u regjistruan për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 – një numër rekord për një shtet me popullësi prej pak më shumë se 3.1 milionë banorë.

Nga 1.7 milionë vota të hedhura në këtë shtet nëntorin e kaluar, më shumë se 1 milion u hodhën përmes postës – që përbën gjithashtu një rekord pasi shumë votues iu shmangën qendrave të votimit gjatë pandemisë.

Presidenti i atëhershëm Donald Trump fitoi në Ajoua, por humbi zgjedhjet kombëtare ndaj demokratit Joe Biden.

Tani, republikanët, të cilët kontrollojnë legjislaturën e shtetit të Ajouës, kanë miratuar një projektligj që mes të tjerash, kufizon votimin e hershëm dhe shkurton kohën e caktuar për votimin në mungesë.


“Puna e komisionit shtetëror është të sigurojë integritetin e zgjedhjeve. Shikon çfarë ke bërë mirë, ku ke gabuar dhe bën përmirësime. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë tani”, thotë Bobby Kaufmann, ligjvënës republikan në shtetit e Ajouës.


Atë që republikanët e reklamojnë si parandalim të mashtrimit të mundshëm të votave, demokratët e shohin si shtypje të së drejtës së votës.

“Ne duam ta bëjmë votimin sa më të lehtë për çdo votues të Ajouës. Unë kam shumë zgjedhës që punojnë në shumë punë, janë prindër dhe kanë nevojë për fleksibilitet, për të votuar atëherë kur kanë kohë”, thotë Eric Gjerde, ligjvënës demokrat në shtetin e Ajouës.

Demokratët nuk arritën të eleminonin ato që ata i konsideronin si kufizime të dëmshme të votimit dhe ligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e këtij shteti me mbështetjen e republikanëve që kanë shumicën.

Ajoua nuk është i vetmi shtet që po bën këto ndryshime dhe demokratët kanë ngritur alarmin. Në një seancë dëgjimore kohët e fundit në Uashington, senatori i sapozgjedhur demokrat i Xhorxhias, Jon Ossoff, tha se projektligji i paraqitur në shtetin e tij do të ndalonte në mënyrë disproporcionale votën e pakicave.

“Ky ligj do ta bënte më të vështirë për banorët e Xhorxhias të votonin. Për shembull ai ndalon votimin e hershëm (të djelën para datës së votimit) që përdoret gjerësisht nga votuesit afrikano-amerikanë të shtresës së ulët”, tha senatori Ossoff.

Xhorxhia dhe Ajoua janë mes dhjetra shteteve ku republikanët po kërkojnë të riformulojnë ligjet e votimit.

"E dëgjon ngado. Nuk është e habitshme për mua të shoh këtë reagim kundër pjesëmarrjes së lartë në zgjedhje, pasi kam punuar për një kohë të gjatë në fushën e së drejtës së votës".

Michelle Kanter Cohen punon me Qendrën për Zgjedhje të Drejta, një organizatë jofitimprurëse, jopartiake që punon për të drejtat e votës dhe reformën e regjistrimit në zgjedhje.

“Ajo që e bën të pakuptimtë këtë ndryshim është se për të nuk po jepet asnjë shpjegim. Nuk është se, përshembull ka patur probleme me qendrat e votimit që kanë qëndruar të hapura deri në orën 9 dhe jo në 8. Në fakt votuesit që punojnë me orë të zgjatura mund të kenë mundësi të votojnë vetëm në atë orë”, thotë zonja Cohen.

“Shumë gjëra që kanë synuar shtypjen e të drejtës së votës kanë patur efektin e kundërt duke i zemëruar njerëzit që kanë dalë për të votuar pastaj në numra rekord”.

Jessica Huseman punon me Votebeat – një organizatë e pavarur jopartiake lajmesh që mbulon integritetin e zgjedhjeve. Ajo thotë se jo të gjitha reformat e propozuara janë problematike.

"Ka shumë shtete, për shembull, ku afatet për të kërkuar fletëvotime në mungesë janë shumë pranë zgjedhjeve, kështu që administratorët e zgjedhjeve thjesht nuk patën kohë t'i shpërndanin ato dhe t’i lejonin votuesit të hidhnin votën. Por sigurisht që nuk ka nevojë të ndryshojmë pjesën më të madhe të sistemit zgjedhor që kemi tani. Ka shtete që po korrigjojnë tej mase problemet e perceptuara, por që nuk janë reale nga zgjedhjet e vitit 2020 në mënyrë që të kënaqin pjesën më ekstreme të bazës së tyre", thotë zonja Huseman.

Reformat e votimit në Ajoua presin tani firmën e guvernatorit republikan të shtetit. Ky është shteti i parë, në atë që zonja Huseman thotë se mund të jetë një valë ndryshimesh të ligjeve të votimit në shumë shtete përpara zgjedhjeve të vitit 2022 për në Kongres./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat