Kongresi miraton ndihmën masive për trajtimin e pasojave të pandemisë

Amerika

Kongresi miraton ndihmën masive për trajtimin e pasojave të pandemisë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 20:49
Kongresi amerikan.

Paketa në vlerë prej 1.9 trilion dollarësh, e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për t’iu ndihmuar qytetarëve në përballimin e pasojave të pandemisë, kaloi pengesën finale në Kongres.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi planin masiv të ndihmës me 220 vota për dhe 211 kundër. Asnjë republikan nuk votoi në favor të tij.

Pasi ka kaluar tashmë edhe Senatin, paketa e ndihmës shkon në tryezën e presidentit Biden për t'u nënshkruar në ligj.

Biden e ka reklamuar atë si mënyrën më të mirë për rikthimin e fuqisë së ekonomisë amerikane.

Biden ka thënë më herët se paketa ka mbështetje të gjerë publike dhe se “tani është koha për ta shpenzuar”.

Paketa e ndihmës përfshin 415 miliardë dollarë për të forcuar përgjigjen ndaj virusit dhe shpërndarjen e vaksinave, rreth 1 trilion dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet dhe afërsisht 440 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe komunitetet që janë goditur veçanërisht nga pandemia.

Shumë republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e parave të huazuara për të paguar stimulin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 29 milionë njerëz në SHBA dhe ka vrarë mbi 528,000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat