Universiteti Kolumbia ofron bursa për të zhvendosurit nga lufta

Amerika

Universiteti Kolumbia ofron bursa për të zhvendosurit nga lufta

Më: 5 prill 2021 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Universiteti Kolumbia në qytetin e Nju Jorkut po ofron bursa për të ndihmuar studentët e zhvendosur nga vendet e tyre si rezultat i luftës, dhunës, urisë dhe katastrofave natyrore. Materiali i përgatitur nga korrespondenti i Zërit të Amerikës Keith Kocinski tregon për rrugëtimin e një gruaje, nga refugjate në studente, në një prej universiteteve më me emër në Shtetet e Bashkuara.

Shabnam Fayyaz është studente në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

“Më kujtohet që kur isha e vogël, im atë thoshte se Amerika është vendi i lirisë, çfarë mbeti vetëm një thënie për mua deri sa erdha në Amerikë.”

24 vjeçarja nga Afganistani ka qënë në lëvizje gjatë gjithë jetës së saj, duke përjetuar të këqijat dhe të mirat.

Familja e saj u largua nga sundimi taleban kur ajo ishte foshnjë, dhe u vendos në Pakistan si refugjate.

“Është një situatë e paparashikueshme sepse nuk e di se ku do të përfundosh dhe çfarë do të ndodhë.”

Familja Shabnam u kthye në Afganistan rreth një dekadë më pas, pasi trupat amerikane rrëzuan talebanët nga pushteti. Por ndërsa talebanët janë akoma aktivë në pjesë të mëdha të vendit, stabiliteti dhe liria mbeten të kërcënuara, kryesisht për gratë.

“Gratë afgane kanë shumë potencial, dhe mund të ofrojnë shumë, por atyre nuk u jepet mundësia.”

Asaj i trokiti fati në derë në vitin 2016 kur u pranua në Kolegjin Earlham në Indiana. Ajo u bashkua me ekipin sportiv atje duke shënuar një fillim të ri.

Dhjetorin e vitit 2019, Universiteti Kolumbia shpalosi një program të ri duke ofruar bursa të plota për njerëzit e zhvendosur. Nga 1,200 aplikantë fituan vetëm 18, përfshi Shabnam. Ata filluan mësimin në muajin shtator. Safwan Masri është Zv/President për Zhvillimin Global në Universitetin Kolumbia.

“Këta janë njerëz që nuk marrin asgjë në jetë si të mirëqënë, dhe e mëson këtë gjë kur dëgjon historitë dhe rrugëtimet e e tyre të jetës.”

Çdo bursë vlen mesatarisht 100 mijë dollarë në vit. Universiteti Kolumbia ka në plan të zgjerojë planet e bursave edhe në kolegje dhe universitete të tjera. Zyrtarët, si zoti Safwan Masri, thonë se studentët janë të etur për të shfrytëzuar një mundësi të rrallë që mund të ketë shumë ndikim.

“Pres me padurim të shoh se si do të ndikojë kjo tek jeta e tyre dhe si do të ndikojnë ata tek të tjerët dhe kontributin e tyre tek komunitetet.”

“Bursa po e bën realitet ëndërrën time, ndërsa po marr një master për të drejtat e njeriut në Universitetin Kolumbia.”

Në të ardhmen Shabnam mund të studiojë juridikun dhe shpreson të përdorë ato që mëson në Universitetin Kolumbia për të ndihmuar refugjatët në të ardhmen. Ajo aplikoi për azil në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019 dhe ende është në pritje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat