Biden krijon komision për të shqyrtuar zgjerimin e mundshëm të Gjykatës së Lartë

Amerika

Biden krijon komision për të shqyrtuar zgjerimin e mundshëm të Gjykatës së Lartë

Më: 10 prill 2021 Në ora: 06:25
Presidenti Joe Biden

Presidenti Joe Biden formoi të premten një komision dypalësh për të studiuar mundësitë për ndryshime të mundshme në Gjykatën e Lartë amerikane, përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve përtej nëntë që ka aktualisht. Kjo lëvizje duket se kënaq qëllimet e disa demokratëve liberalë që shpresojnë t'i japin fund shumicës konservatore në gjykatë.

Nën një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti demokrat, komisioni prej 36 anëtarësh do të vlerësojë ligjshmërinë e reformave të mundshme në organin më të lartë gjyqësor të vendit, duke përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve ose kufizimin e mandatit të tyre, që aktualisht është i përjetshëm.

Numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka mbetur nëntë që nga 1869, por Kongresi ka fuqinë të ndryshojë numrin dhe e ka bërë këtë disa herë përpara kësaj. Vendosja e kufizimeve në mandatin e një gjykatësi ka të ngjarë të kërkojë një ndryshim kushtetues, megjithëse disa studiues kanë propozuar mënyra për ta përmbushur atë pa shkuar deri aty.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se komisioni do të përfaqësojë të gjithë spektrin politik. Ai do të përfshijë studiues të fushës juridike, liberalë e konservatorë, ish-gjykatës federalë dhe avokatë që kanë mbrojtur çështje përpara gjykatës. Po kështu parashikohet zhvillimi i takimeve publike. Komisioni do të ketë 180 ditë afat për të raportuar gjetjet e tij.

Zoti Biden premtoi në tetor, në fund të fushatës zgjedhore presidenciale, se do të krijonte një komision, një hap që i dha atij mundësinë të shmangte marrjen e një pozicioni mbi propozimin e hedhur nga disa liberalë për të rritur numrin e anëtarëve të gjykatës, megjithëse ai e kishte kundërshtuar këtë ide në të kaluarën.

Republikanët e kundërshtojnë ashpër idenë e të ashtuquajturës "mbushje e gjykatës". Disa demokratë dhe aktivistë liberalë kanë thënë se të gjitha opsionet, përfshirë zgjerimin, duhen marrë në konsideratë për të kundërshtuar siç thonë ata një shumicë konservatore të pamundur për t'u ndryshuar, e që mund të kërcënojë gjatë viteve të ardhshme të drejtën e abortit, të drejtat civile, kontrollin e armëve dhe qasjen tek shërbimet e kujdesin shëndetësor.

Ish-Presidenti republikan Donald Trump arriti të emërojë tre gjykatës gjatë katër viteve të tij në detyrë, duke i dhënë këtij institucioni një shumicë konservatore 6 me 3.

Demokratët akuzuan republikanët për "vjedhje" të një vendi të Gjykatës së Lartë në 2016 kur Senati, i kontrolluar nga republikanët, refuzoi të konsideronte kandidaturën e Presidentit demokrat Barack Obama, gjyqtarin Merrick Garland, për një vend në këtë gjykatë të krijuar si pasojë e vdekjes së gjykatësit konservator Antonin Scalia.

Në atë kohë republikanët e Senatit, drejtuar nga udhëheqësi i atëhershëm i shumicës Mitch McConnell, thanë se do të ishte e papërshtatshme të konfirmohej një gjykatës gjatë një viti zgjedhjesh presidenciale. Kjo lëvizje i hapi rrugën ish-Presidentit Trump që në 2017 të zëvendësonte zotin Scalia me një tjetër konservator, gjykatësin Neil Gorsuch.

Vitin e kaluar demokratët akuzuan republikanët për hipokrizi kur Senati konfirmoi me shpejtësi kandidaturën e propozuar nga zoti Trump, gjykatësen konservatore Amy Coney Barrett, vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale. Zonja Barret zëvendësoi gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg e cila ndërroi jetë në shtator të 2020.

Zoti McConnell kritikoi komisionin dhe e quajti një sulm politik ndaj gjykatës.

"Është thjesht një përpjekje për t'u veshur sulmeve të vazhdueshme, legjitimitet të rremë", tha zoti McConnell.

Zoti McConnell ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën që i ka dhënë ish-Presidentin Trump për konfirmimin e emrave të propozuar prej tij si anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke e kthyer miratimin e tyre në përparësi të punës së Senatit.

Anëtari më i vjetër i gjykatës është gjykatësi liberal Stephen Breyer, 82 vjeç. Nëse zoti Breyer del në pension këtë vit, siç e kanë nxitur të bëjë disa aktivistë liberalë, zoti Biden do të kryente emërimin e tij të parë në Gjykatën e Lartë. Presidenti Biden ka premtuar të emërojë një grua afro-amerikane, e cila do të ishte e para në historinë e vendit. Por zëvendësimi i një liberali me një tjetër liberal, nuk do të ndryshonte ekuilibrin ideologjik të gjykatës.

Zonja Psaki tha se Presidenti Biden "beson se vendimi për t'u tërhequr i takon vetëm gjykatësit Breyer".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat