VOA: Kritika ndaj qeverisë Kurti lidhur me procesin e vaksinimit

Aktuale

VOA: Kritika ndaj qeverisë Kurti lidhur me procesin e vaksinimit

Më: 14 maj 2021 Në ora: 21:35
Tollovia për vaksinim te salla “1 Tetori” në Prishtinë

Në qendrën e vaksinimit kundër COVID-19 në Prishtinë, të premten u krijuan radhë të gjata të personave mbi 65 vjeç që u paraqitën për vaksinim. Partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile kritikuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit të vaksinimit.

Partitë opozitare dhe një grup organizatash të shoqërisë civile kritikuan të premten qeverinë e Kosovës lidhur me procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Mëngjesin e së premtes u krijuan radhë të gjata para qendrës së vaksinimit në Prishtinë, ku po vaksinohen personat mbi 65 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë tha se grumbullimi i njerëzve sot ndodhi për shkak se në qendrën e vaksinimit në kryeqytet u mblodhën qytetarë edhe nga komunat e tjera, të cilët duhet të drejtohen në qendrat e vaksinimit në komunat e tyre.

Në një reagim të nënshkruar nga 12 organizata të shoqërisë civile shprehet shqetësimi me grumbullimet e tilla me të cilat, sic thuhet në reagim, po rrezikohet shëndeti publik, posaçërisht i kësaj grupmoshe më të rrezikuar nga Covid 19.

Duke kritikuar mungesën e planifikimit, këto organizata bënë thirrje për hapje të qendrave të reja të vaksinimit dhe informim më të mirë të qytetarëve mbi këtë proces.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, në paraqitje të ndara para gazetarëve kritikuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit të vaksinimit.

“Edhe para pak ditësh jemi adresuar dhe kemi saktësuar jo vetëm keqmenaxhimin e kësaj qeverie në raport me situatën epidemiologjike në Kosovë por edhe me luftimin e pandemisë COVID-19. Por është treguar si fakt që dëshprimi jonë për mosvijim të punëve të mira aty ku kanë mbetur ka degraduar tërësisht, mos të them plotësisht, jo vetëm në një keqmenaxhim, por edhe sot duke drejtuar qytetarët, prindërit tanë, nënat e baballarët drejt vdekjes, në vend se të drejtohen drejt vaksinimit dhe sigurimit të jetës”, tha Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të skenave tronditëse ku të moshuarit shtyheshin me njëri tjetrin, pa fajin e tyre, për ta marrë një vaksinë, derisa qeveria, kryeministri Kurti, ministri Vitia, i kishin braktisur ata dhe po i braktisin çdo ditë qytetarët në një betejë të vështirë me pandeminë. Sot ishim dëshmitarë se mungoi shteti, mungoi kryeministri, mungoi ministri i Shëndetësisë dhe kjo për neve si Parti Demokratike është e papranueshme dhe e patolerueshme”, tha Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike.

Nga mesdita janë larguar grumbullimet e qytetarëve, pas sqarimit të procesit nga autoritetet.

Të mërkurën Kosova mori pakon e dytë të dozave të vaksinës kundër COVID-19, nëpërmjet programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga gjithsej 100 mijë e 800 doza që janë premtuar për Kosovën në kuadër të programit COVAX, deri tash nga ky program Kosova ka marrë më shumë se 62 mijë vaksina.

Kosova tashmë ka marrë edhe një pjesë të mbi 95 mijë vaksinave të zotuara nga Bashkimi Evropian, por mbetet vendi i fundit në rajon me numrin e të vaksinuarve.

Qeveria e Kosovës e ka shpallur përparësi luftën kundër pandemisë, ndërsa është zotuar për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat