Presidenti Biden emëron kreun e agjencisë kundër monopoleve në Departamentin e Drejtësisë

Amerika

Presidenti Biden emëron kreun e agjencisë kundër monopoleve në Departamentin e Drejtësisë

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 22:26
Foto ilustrim

Presidenti Joe Biden emëroi të martën avokatin Jonathan Kanter si shefin e antitrustit në Departamentin e Drejtësisë duke sinjalizuar se Shtëpia e Bardhë është e vendosur të frenojë korporatat më të mëdha në botë, veçanërisht kompanitë e teknologjisë së lartë. Shtëpia e Bardhë e quajti zotin Kanter "një mbrojtës dhe ekspert kryesor të përpjekjeve për të promovuar zbatimin e fortë dhe të detajuar të politikave kundër monopoleve dhe konkurrencës".

Progresistët që mbështesin zbatimin më të rreptë të ligjit antitrust kanë bërë përpjekje për emërimin e zotit Kanter, i cili kohët e fundit krijoi firmën e tij ligjore, Kanter Law Group LLP. Ai ka punuar për vite me radhë për rivalët më të vegjël të kompanisë Google, të cilin Departamenti i Drejtësisë e ka paditur. Administrata e Biden më parë zgjodhi dy progresistë antitrust me ekspertizë teknike, Tim Wu për Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe Lina Khan si komisionere në Komisionin Federal të Tregtisë.

Sarah Miller, drejtoreshë ekzekutive e Projektit Amerikan të Lirive Ekonomike, tha se avokati Kanter "ka hartuar shumë nga argumentet ligjore më të suksesshme që drejtojnë hetimet kryesore kundër monopoleve të kompanive të teknologjisë".

Kanter, i cili më parë ka punuar për firmën Paul, Weiss, Rifkind Wharton & Garrison LLP dhe dy firma të tjera të mëdha ligjore, do të marrë drejtimin e Divizionit të Antitrustit në Departamentin e Drejtësisë mes thirrjeve për një zbatim më të ashpër të ligjit kundër monopoleve në përgjithësi, me kritika të veçanta që vënë në shënjestër kompanitë Google, Facebook, Amazon dhe Apple. Kanter nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Nëse konfirmohet, Divizioni i Antitrustit në Departamentit të Drejtësisë nën drejtimin e zotit Kanter ka të ngjarë të luajë një rol kryesor në zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden që ka për qëllim nxitjen e konkurrencës në të gjithë ekonominë amerikane.

Përveç padisë ndaj kompanisë Google, Departamenti i Drejtësisë po heton edhe kompaninë Apple.

Komisioni Federal i Tregtisë ndan detyrën e zbatimit të ligjit antitrustit me Departamentin e Drejtësisë. /VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat