Senati amerikan mund ta shqyrtojë këtë javë propozimin dypartiak për infrastrukturën

Amerika

Senati amerikan mund ta shqyrtojë këtë javë propozimin dypartiak për infrastrukturën

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 15:57
Gjatë punimeve në sallën e Senatit të Shteteve të Bashkuara

Java në vazhdim mund të jetë vendimtare për planin dypartiak për të ndrequr infrastrukturën e dobësuar amerikane. Suksesi i paketës që përqendrohet tek rrugët, urat dhe infrastrukura “fizike” mund të lidhet me një tjetër paketë që mbështetet nga demokratët. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn.

Përpjekja për të përmirësuar rrugët, urat dhe sistemin e shpërndarjes së internetit në Amerikë mund të marrë një shtysë këtë javë nga miratimi i një marrëveshjeje dypartiake prej 1.2 trilionë dollarësh. Senati mund të votojë për të çelur debatin, por senatorë republikanë dhe demokratë janë ende duke shqyrtuar çështje të buxhetit për transportin publik.

Senatori nga Ohajo, Rob Portman, i cili është kryenegociatori republikan në grupin dypartiak, tha se paketa përfaqëson një moment të rrallë kur të dyja palët politike mund të tregojnë se munden të arrijnë kompromisin për të realizuar diçka.

Image
Rob Portman

“Është pra gjëja e duhur për vendin, por ka qenë edhe subjekt i një proçesi për arritjen e konsesusit dypartiak, që duhet ta ushtrojmë më shumë në këtë qytet”, tha Senatori Portman.

Pasi të jetë hartuar, paketa dypartiake do të përballet me sfida për t’u miratuar. Duke qenë se duhen votat e 60 senatorëve, suksesi do të varet nga disa senatorë republikanë në Senatin ku palët politike janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë.

Mbështetësit nuk duhet të humbasin as edhe një votë vetme, por disa dëshirojnë që paketa të lidhet me një tjetër propozim më të madh prej 3.5 trilionë dollarësh që përqëndrohet tek “infrastruktura njerëzore”, me propozime ndër të tjera për kujdesin për fëmijët, arsimin dhe ndryshimin klimatik. Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se do ta paraqesë propozimin dypartiak për infrastrukturën vetëm pasi Senati të ketë miratuar paketën e madhe. Ajo tha se Senati mund ta realizojë këtë nëpërmjet proçesit të përafrimit, i cili përdoret për kalimin me shumicë të thjeshtë të ligjeve që kanë të bëjnë me taksat, shpenzimet dhe masa të tjera financiare.

Image
Nancy Pelosi

“Presidenti ka thënë se dëshiron një projektligj dypartiak dhe ne të gjithë e dëshirojmë këtë. Por, vizioni i presidentit nuk mbaron me kaq. Ai kërkon të rindërtojë më mirë. Ai kërkon t’ja arrijë kësaj duke përfshirë më shumë njerëz në begatinë e vendit tonë”, tha zonja Pelosi.

Gjendja e infrastrukturës së Amerikës është konsideruar prej kohësh si më e dobët se në vendet e tjera të zhvilluara. Dy paketat rivale janë një test për udhëheqësit e zgjedhur, përfshirë Presidentin demokrat Joe Biden, nëse dy partitë do të mund të ulen së toku për të arritur diçka. Të dyja dhomat e legjislativit kanë vetëm një hapësirë të vogël përpara se të fillojnë pushimet e gushtit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat